Kryediplomati rus refuzoi me zemërim akuzat e Shteteve të Bashkuara se Moska po përgatit një pretekst për të sulmuar Ukrainën, ndërsa forcat ruse të mbledhura pranë kufirit me Ukrainën filluan të hënën stërvitje të reja ushtarake.
Shtëpia e Bardhë tha të premten se zyrtarët e zbulimit amerikan kanë konkluduar se Rusia ka dislokuar tashmë operativët e saj në Ukrainën lindore të kontrolluar nga rebelët, për të kryer akte sabotazhi dhe për t’ia lënë fajin Ukrainës, duke krijuar kështu një pretekst për ta pushtuar.
Duke folur për gazetarët të hënën, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov i hodhi poshtë pretendimet e Shteteve të Bashkuara duke i quajtur “një dizinformim i plotë”.
Ai konfirmoi se Rusia po pret një përgjigje me shkrim këtë javë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për kërkesat e Moskës për garancitë se NATO nuk do të anëtarësojë Ukrainën, apo vende të tjera ish-sovjetike, dhe as do të dislokojë forca dhe armatime në atë vend.
Uashingtoni dhe vendet aleate refuzuan me forcë kërkesat e Moskës gjatë negociatave SHBA-Rusi javën e kaluar në Gjenevë dhe gjatë një takimi NATO-Rusi në Bruksel. Takimet zhvilloheshin ndërsa rreth 100 mijë forca ruse me tanke dhe armatime të tjera të rënda janë mbledhur pranë Ukrainës. Perëndimi mendon se ky është preludi i një pushtimi.
Një tank rus T-72B3 duke marrë pjesë në stërvitjen në rajonin Rostov (12 janar 2022)
Ndërsa vazhdonte grumbullimi i forcave ushtarake, Rusia ka zhvilluar gjatë javëve të fundit disa simulime ushtarake në rajonet pranë kufirit me Ukrainën. Të hënën, ushtria ruse njoftoi fillimin e një tjetër stërvitjeje të mjeteve të blinduara në pjesën perëndimore të Rusisë, ku do të përfshihen 300 mjete luftarake.
Një delegacion senatorësh amerikanë po viziton Ukrainën për të theksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për këtë vend.
“Delegacioni ynë dypartiak me anëtarë të Kongresit dërgon një mesazh të qartë për komunitetin global: Shtetet e Bashkuara janë të palëkundura në mbështetje të partnerëve tanë ukrainas që mbrojnë sovranitetin e tyre përballë agresionit të vazhdueshëm rus”, tha nëpërmjet një deklarate Senatorja demokrate Jeanne Shaheen.
Duke folur të hënën gjatë një vizite në Kiev, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock paralajmëroi se “çdo përshkallëzim i mëtejshëm do të mbarte një çmim të rëndë për regjimin rus – ekonomik, politik dhe strategjik”. Ajo theksoi nevojën e vazhdimit të negociatave.
Ministrja e Jashtme gjermane Baerbock me homologun ukrainas në Kiev (17 janar 2022)
“Jemi të përgatitur për një dialog serioz me Rusinë, pasi diplomacia është mënyra e vetme për të çtensionuar këtë situatë të rrezikshme”, tha ajo.
Zonja Baerbock tha se Gjermania ka ofruar të dërgojë specialistë të sigurisë kibernetike në Ukrainë për të ndihmuar në hetimin e sulmeve kibernetike të javës së kaluar, për të cilat autoritetet ukrainase kanë fajësuar Rusinë. Në të njëjtën kohë, ajo vuri në dukje se Gjermania nuk e ka ndryshuar vendimin e saj për të mos dërguar armatim.
“E kemi bërë të qartë se do të bëjmë gjithçka për të shmangur përshkallëzimin e krizës”, tha ajo.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha gjatë një vizite në Spanjë se “ne presim hapa të qartë nga Rusia për të ulur tensionet”, duke shtuar se “agresioni ushtarak kundër Ukrainës do të sjellë pasoja të rënda politike dhe ekonomike”.
Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se Rusia mund të nisë një sulm nga drejtime të ndryshme, përfshirë edhe nga territori i aleates së saj, Bjellorusisë.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i cili është mbështetur gjithnjë e më shumë tek ndihma e Kremlinit ndërsa perëndimi i ka vendosur sanksione për shtypjen brutale të protestave në vend, tha se Rusia dhe Bjellorusia do të zhvillojnë stërvitje masive ushtarake muajin e ardhshëm.
Presidenti bjellorus Lukashenko gjatë një takimi me drejtuesit ushtarakë të vendit (17 janar 2022)
Zoti Lukashenko tha se manovrat do të kryhen në kufirin perëndimor të Bjellorusisë dhe gjithashtu në jug të vendit, ku ndodhet kufiri me Ukrainën. Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Bjellorusisë, Alexander Volfovich, tha të hënën se trupat ruse tashmë kishin filluar të mbërrinin në vend për stërvitjen në fjalë, njoftoi agjencia e lajmeve BELTA.
Rusia ka mohuar të ketë plane për të sulmuar vendin fqinj dhe nga ana tjetër ka akuzuar udhëheqjen ukrainase për hartimin e planeve për të përdorur forcën për të rimarrë kontrollin e territoreve të mbështetura nga rebelët në Ukrainën lindore. Autoritetet ukrainase e kanë mohuar këtë gjë.
Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014 pas rrëzimit nga pushteti të udhëheqësit pro-rus të Ukrainës dhe gjithashtu mbështeti një kryengritjeje separatiste në Ukrainën lindore. Më shumë se 14 mijë njerëz janë vrarë në gati tetë vjet luftime atje.
Presidenti rus Putin gjatë një takimi në Kremlin (17 janar 2022)
Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se Moska do të ndërmarrë “masa ushtarako-teknike” të papërcaktuara nëse Perëndimi kundërshton kërkesat e tij.
Zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov, i cili udhëhoqi delegacionin rus në bisedimet me SHBA-në në Gjenevë, tha javën e kaluar se ai “as nuk do të konfirmonte dhe as përjashtonte” mundësinë e dërgimit të mjeteve ushtarake nga Rusia në Kubë dhe Venezuelë nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk kufizojnë aktivitetet e tyre ushtarake në pragun e territorit të Rusisë. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, i ka hedhur poshtë komentet si thjesht zhurmë.
I pyetur të hënën për mundësinë e vendosjes së raketave ruse në Kubë dhe Venezuelë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se “Rusia po mendon se si të garantojë sigurinë e saj në kontekstin e situatës aktuale”./ VOA