Kostoja e jetesës po rritet ashpër në gjithë botën.
Inflacioni global – norma me të cilën rriten çmimet – është në nivelin më të lartë që nga viti 2008. Në listën e mëposhtme janë disa nga arsyet pse.
Rritja e çmimeve të energjisë dhe benzinës
Çmimet e naftës ranë në fillim të pandemisë, por kërkesa është rikthyer që nga ajo kohë, dhe ka arritur nivelin më të lartë të shtatë vjetëve, raporton BBC.
Aktualisht benzina në SHBA kushton mesatarisht 3.31 dollarë për gallon – nga 2.39 dollarë për gallon një vit më parë. Ngjashëm mund të thuhet edhe për Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në.
Çmimi i gazit gjithashtu është rritur, duke i lënë njerëzit anembanë botës me fatura të pakëndshme të ngrohjes qendrore.
Kërkesa nga Azia ka rritur çmimet, së bashku me një dimër të ftohtë në Evropë vitin e kaluar, që varfëroi rezervat e gazit.
Mungesa e mallrave
Çmimi i shumë mallrave të konsumit të përditshëm u rrit gjatë pandemisë.
Konsumatorët e mbërthyer në shtëpi gjatë bllokimit vitin e kaluar hargjuan para për mallra shtëpiake dhe përmirësime në shtëpi sepse nuk mund të shkonin në restorante ose me pushime.
Prodhuesit në vende të tilla si Azia – shumë prej të cilëve u përballen me mbyllje për shkak të masave kufizuese të COVID-19 – kanë luftuar për të vazhduar me kërkesën që atëherë.
Ajo ka çuar në mungesa të materialeve si plastika, betoni dhe çeliku, duke rritur çmimet. Druri kushtoi 80 për qind më shumë se zakonisht në vitin 2021 në Mbretërinë e Bashkuar dhe arriti dyfishin e çmimit të tij tipik në SHBA.
Shitësit e mëdhenj amerikanë Nike dhe Costco kanë rritur çmimet e tyre për shkak të kostove më të larta të zinxhirit të furnizimit.
Dhe ka mungesë të mikroçipave, të cilët janë komponentë jetikë në makina, kompjuterë dhe mallra të tjera shtëpiake.
Shpenzimet e transportit
Kompanitë globale të transportit – të cilat lëvizin mallra nëpër botë – janë mbingarkuar nga kërkesa në rritje pas pandemisë.
Do të thotë që shitësit me pakicë duhet të paguajnë shumë më tepër për t’i futur ato mallra në dyqane. Si rezultat, çmimet u janë kaluar konsumatorëve.
Dërgimi i një kontejneri të vetëm 12 metra nga Azia në Evropë kushton aktualisht 17 mijë dollarë – 10 herë më shumë se një vit më parë, kur ishte 1,500 dollarë.
Është shoqëruar me një rritje të tarifave të transportit ajror dhe është përkeqësuar nga mungesa e shoferit të kamionit në Evropë.
Pengesat e transportit dukej se po lehtësoheshin në dhjetor, me SHBA-në që filluan të kapnin mbingarkesën rekord në portet e saj.
Por Omicroni dhe shfaqja e varianteve të ardhshme të COVID-10 mund t’i ndryshojnë këto përfitime.
Rritja e pagave
Shumë njerëz lanë fuqinë punëtore ose ndryshuan punë gjatë pandemisë.
Në SHBA, muaji prill pa më shumë se katër milionë njerëz që lanë punën e tyre, sipas Departamentit të Punës – rritja më e madhe në rekord.
Si rezultat, firmat kanë probleme me rekrutimin e stafit si shoferë, përpunues ushqimesh dhe kamerierë restorantesh.
Një sondazh i 50 shitësve të mëdhenj amerikanë sugjeroi se 94 për qind kishin probleme në plotësimin e roleve boshe.
Si rezultat, kompanitë duhet të vendosin paga ose të ofrojnë bonuse nënshkrimi për të tërhequr dhe mbajtur stafin. McDonald’s dhe Amazon po ofrojnë bonuse punësimi që variojnë nga 200 deri në 1,000 dollarë.
Këto kosto shtesë të punëdhënësit po u kalohen sërish konsumatorëve.
Ndikimi nga klima
Moti ekstrem në shumë pjesë të botës ka kontribuar në inflacion.
Furnizimet globale të naftës u goditën nga uraganet Ida dhe Nicholas që kaluan përmes Gjirit të Meksikës dhe dëmtuan infrastrukturën e naftës në SHBA.
Dhe problemet me plotësimin e kërkesës për mikroçipe u përkeqësuan pasi një stuhi e fortë dimri mbylli fabrikat kryesore në Teksas vitin e kaluar.
Kostoja e kafesë është rritur gjithashtu pasi Brazili, prodhuesi më i madh në botë, pati një korrje të dobët pas thatësirës më të rëndë në pothuajse një shekull.
Barrierat tregtare
Importet më të kushtueshme po kontribuojnë gjithashtu në çmime më të larta. Rregullat e reja të tregtimit pas Brexit vlerësohet të kenë reduktuar importet nga BE-ja në Mbretërinë e Bashkuar me rreth një të katërtën në gjysmën e parë të vitit 2021.
Tarifat e roaming po kthehen për shumë udhëtarë në Mbretërinë e Bashkuar që vizitojnë Evropën këtë vit.
Më vete, tarifat e importit të SHBA-së për mallrat kineze u janë kaluar pothuajse tërësisht klientëve amerikanë në formën e çmimeve më të larta.
Gjiganti kinez i telekomunikacionit Huawei tha vitin e kaluar se sanksionet e vendosura ndaj kompanisë nga SHBA-ja në vitin 2019, po preknin furnizuesit amerikanë dhe klientët globalë.
Fundi i mbështetjes pandemike
Qeveritë në të gjithë botën po e ‘tërheqin’ mbështetjen e dhënë ndaj bizneseve për të ndihmuar me ndhikimin e coronavirusit.
Shpenzimet publike dhe huamarrja u rritën në të gjithë botën gjatë pandemisë. Kjo çoi në rritje të taksave që kanë kontribuar në shtrydhjen e kostos së jetesës, ndërkohë që pagat e shumicës së njerëzve mbeten të pandryshuara.
Shumë ekonomi të zhvilluara kanë pasur politika të dizajnuara për të mbrojtur punëtorët – të tilla si pushimet pa pagesë – dhe politika të mirëqenies për të mbrojtur punëtorët që paguhen më pak.
Disa ekonomistë sugjerojnë se këto politika gjithashtu mund ta shtyjnë inflacionin më të lartë ndërsa masat mbështetëse po i afrohen fundit.