Fjalë Kyçe

Pushuesja vdes pas kafshimeve nga peshkaqenët

Pushuesja vdes pas kafshimeve nga peshkaqenët

Një studente kolegji nga Kalifornia ka vdekur pasi u sulmua keqas nga tre peshkaqenë ndërsa notonte në ishujt Bahame të mërkurën.

Jordan Lindsey, 21-vjeçare, nga Torrance e Kalifornisë, ishte duke notuar me një aparat zhytjeje në gojë pranë Rose Island në ujërat e Oqeanit Atlantik të Veriut rreth orës 14, kur ajo u sulmua.

Ajo kishte udhëtuar në ishull bashkë me familjen e saj në tur me varkë që solli vizitorë në ishull dhe ishte duke notuar me pajisje zhytjeje për të parë derrat e egër kur u shfaqën peshkaqenët, shkruan Gazeta Alo.

Ajo pësoi lëndime vdekjeprurëse ku krahu i saj i djathtë u shkëput tërësisht si dhe pësoi kafshime në krahun e majtë, të dy këmbët dhe mollaqe.

Hetuesit besojnë se në sulm ishin përfshirë tre peshkaqenë.

Prindërit e Lindsey-t thanë se i panë peshkaqenët kur po afroheshin dhe filluan të bërtisnin për ta paralajmëruar, por ajo nuk arriti t’i dëgjonte me kohë.

Ajo u nxor me nxitim në breg dhe u dërgua menjëherë në Spitalin në Nassau, ku u shpall e vdekur, njoftuan të mërkurën forcat policore të Bahamës./Gazeta Alo/