Shqiptaro-amerikani Emin Eddie Egriu, një profil i fortë politik dhe patriotik, mes botës së biznesit dhe studimit të kulturës, politikës dhe religjionit, zotërues i katër gjuhëve: anglisht, italisht, spanjisht dhe shqip, kandidon për Kongresin Amerikan në Washington DC si përfaqësues i Distriktit 26 në Western New York.
Emin Eddie Egriu nga selia qendrore e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra i bëri një thirrje të sinqertë dhe të përzemërt të gjithë pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në USA, sidomos në New York dhe konkretisht në zonën e Buffalo.
“Është shumë e rëndësishme në këtë garë që të kem mbështetjen dhe përkrahjen e komunitetit tim pikë së pari. Çdo kandidat ka nevojë si fillim që të gjejë mbështetjen në përkrahësit e bijtë e atdheut të tij. Është një fushatë e shtrenjtë e cila ka filluar me mbledhjen e fondeve në Buffalo dhe tani kam marrë një mbështetje të fortë dhe nga komuniteti amerikan. U jam mirënjohës dhe falënderues çdo personi që po kontribuon. Është një garë e fortë si fillim brenda Partisë Demokratike. Anketimet e deritanishme dhe historiku i përballjeve politike në të kaluarën time tregojnë se unë jam më i favorizuar për të shkuar drejtë fitores” shprehet për Diellin e Vatrës z.Emin Egriu.
Shqiptaro-amerikani Emin Eddie Egriu jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 52 vitesh. Është veprimtar aktiv dhe një nga personalitet shqiptare të diasporës sonë i cili ka kontribuar gjithmonë për çështjen kombëtare. Emin Eddie Egriu është i specializuar në fushën e biznesit, kulturës, politikës e ligjit. Emin Eddie Egriu është një ndër kandidaturat shqiptare më të fuqishme në skenën politike të komunitetit shqiptar në USA.
Familja e Emin Eddie Egriu është me origjinë nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, familje e cila emigroi nga Dibra që në vitin 1969. Ata emigruan si fillim në Itali në Romë e më pas erdhën në Amerikë në Brooklyn New York. Emin Eddie Egriu në pikat e fushatës së tij premton: Lobim të fuqishëm për çështjen shqiptare në Institucionet Amerikane si në Senat, Kongres, Departament të Shtetit dhe në të gjitha institucionet e shtetit amerikan. Një fuqizim ekonomik për mbarë hapësirën shqipfolëse në Ballkan, forcimi i edukimit të brezave në trojet shqiptare, synimi i forcimit të arsimit profesional dhe gjetja e mundësive për tregjet e punës. Lobim i fuqishëm për gjenerimin e tregjeve të punës dhe produkteve shqiptare në BE ose drejtpërdrejtë në Amerikë.
“Nëse duhet të zhvillojmë vendet tona, si fillim duhet të luftojmë varfërinë dhe zhvillojmë tregun e punës” shprehet z.Egriu. “Siguria e Ballkanit dhe trojeve shqiptare garantohet vetëm më mbikëqyrjen e Amerikës dhe rolin e saj parësor si garantuese dhe udhëheqëse e proceseve në Ballkan, ashtu siç Amerika e ka ndihmuar kombin shqiptar në histori. Ne si komb duhet ti jemi përjetë mirënjohës Amerikës. Nëse unë zgjidhem në Kongres do të loboj fort në Washington për fuqizimin ekonomik dhe politik të shqiptarëve në trojet shqipfolëse dhe synimi është që të liberalizohen vizat me Amerikën” shprehet kandidati për Kongresin Amerikan Emin Eddie Egriu.
Ai ka ndihmuar në integrimin e emigranteve dhe komunitetit shqiptar në Buffalo të New York e në shumë shtete të tjera të Amerikës me anë të lidhjeve dhe miqësisë që kishte familja Egriu e cila ka qenë gjithmonë si një bazë e fuqishme patriotike dhe komunitare në ndihmë të bashkëkombasve shqiptarë. Vëllai i Emin Eddie Egriu, Naxhi John Egriu ka marrë pjesë në luftën e Kosovës si pjesëtar i Batalionit Atlantiku me profesion spajperist.
Përgjatë bisedës në Vatër, Emin Eddie Egriu zbulon se ka qenë këshilltar i Colin Powell së bashku me Joe DioGuardi, Ekrem Bardhën, NAAC e shumë personalitete e organizata të tjera shqiptare në negociatat e paqes për krizën në Maqedoni pas luftës në Kosovë në 2001, në Shtëpinë e Bardhë në Washington DC ku u mbajt një demonstratë e fuqishme për këtë çështje.
Emin Egriu është themelues dhe drejtues i kompanisë së ndërtimeve ‘Egriu’. Në rrëfimin për Diellin, z.Egriu tregon se ka dhënë kontribut të qënësishëm te ‘Lidhja Qytetare Shqiptaro-amerikane’ dhe ‘Albanian Roots’. Ka qenë koordinator për gjeneralin Wesley Clark në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. Ai ka ndihmuar shumë biznese fillestare (start-up) përmes të cilave janë krijuar mbi 3000 vende të reja pune në ShBA, të fokusuara në zonën e Bufalos dhe Niagara Falls.
Mbështetja për Emin Egriun është një mbështetje për zërin e fuqishëm shqiptar në Washington dhe një ndihmë e madhe për lobimin e çështjes dhe interesave kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në trojet shqipfolëse.
Emin Eddie Egriu u bë anëtar i Vatrës dhe u zotua se do të mbështesë Vatrën dhe Diellin në të gjitha etapat dhe proceset ku veprojnë fuqishëm në dobi të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare. /Dielli/