Alarmi i sotëm për bombë në Stacionin e Autbosuëve në Prishtinë ka dalë përsëri të jetë i rrejshëm.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë Florie Ahmeti e cila theksoi se nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm”, tha ajo për Reporteri.net.
Gjatë ditës së sotme ka pasur sërish alarm për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Policia ka njoftuar se rreth orës 15:00, policia ka pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë.
“Menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës. Informata është trajtuar nga ana e policisë”, kanë thënë nga Policia.
Kjo është hera e pestë që përmes një telefonate anonime është duke u bërë një lajmërim i tillë.
Një telefonatë të tillë Policia e Kosovës së fundmi kishte pranuar edhe me 7 janar të këtij viti rreth orës 12:00. Pas pranimit të telefonatës, Policia kishte kryer kontrollet në hapësirat e Stacionit të Autobusëve dhe nuk kishte gjetur asgjë të dyshimtë.