Fjalë Kyçe

“Mirë se vini në një botë ku gazi do të kushtojë 2000 euro”, Rusia reagon pas sanksioneve gjermane

“Mirë se vini në një botë ku gazi do të kushtojë 2000 euro”, Rusia reagon pas sanksioneve gjermane

Ish-presidenti dhe ish-kryeminsitri i Rusisë, Dimitry Medvedev ka reaguar pas vendimit të Gjermanisë për të pezulluar certifikimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, duke paralajmëruar për rritje të mëdha të çmimeve të gazit natyror në Evropë.

“Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka dhënë urdhër që të ndërpritet procesi i certifikimit të “Nord Stream 2”. Mirë. Mirë se vini në një botë të re e të guximshme, ku europianët shumë shpejt do të duhet të paguajnë 2000 euro për 1000 metra kub gaz natyror”, tha Medvedev në një postim në Twitter.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se qeveria e tij po e merrte një masë të tillë në kundërpërgjigje të veprimeve ruse ne Ukrainë. “Ky është një hap i nevojshëm administrativ, që do të pamundësojë funksionimin e Nord Stream 2”, tha kancelari.

Ndërtimi i gazsjellësit ka përfunduar, por projekti kërkonte certifikimin nga autoritetet gjermane pare se të niste furnizimi me gaz. “Nord Stream 2” ka qenë burim përplasjesh me Uashingtonin, i cili kundërshtonte rritjen e varësisë europiane nga gazi rus, raporton A2news.

Por deri më tani, Gjermania kishte refuzuar të përdorte kartën e gazsjellësit për t’i bërë presion Moskës, pasi gati gjysma e nevojave të saj energjetike plotësohen pikërisht nga Rusia. Udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për pezullimin e menjëhershëm të projektit pas vendimit të presidentit rus për të njohur pavarësinë e Donbas.