Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se do ta dënonte njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste në lindje të Ukrainë nga Rusia, kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy të “dënojë bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999”.
“Serbia gjithmonë ka mbështetur integritetin e Ukrainës dhe nuk ka pasur ndryshime”, tha Vuçiq për Pink TV gjatë vizitës në Monako.
Ai iu kundërpërgjigj deklaratës së ambasadorit të Ukrainës në Serbi, Oleksandr Alexandrovich, i cili tha se populli ukrainas pret që Serbia të dënojë lëvizjen e Rusisë për të njohur Donjeckun dhe Luhanskun si entitete të pavarura.
Bombardimet e NATO-s ndaj caqeve serbe kishin filluar pas dështimit të negociatave për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të mbajtura në Rambuje dhe Paris në shkurt dhe mars 1999.
Sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake nisën më 24 mars të vitit 1999 dhe zgjatën për 78 ditë. Kjo ndërhyrje i dha fund luftës në Kosovë.
Ndryshe, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë dënuar vendimin e Rusisë për të njohur dy rajonet separatiste në lindje të Ukrainës. Vetëm lideri serb i Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, nuk e ka dënuar këtë veprim të Rusisë dhe ka thënë se shteti i tij duhet të qëndrojë neutral ndaj zhvillimeve në Ukrainë./REL