Rusia tha se shumë shpejt do të evakuojë stafin diplomatik nga Ukraina “për të mbrojtur jetën e tyre”, pasi ligjvënësit rusë miratuan kërkesën e presidentit Vladimir Putin, që të përdorë forcën ushtarake jashtë vendit.
“Prioriteti ynë i parë është të kujdesemi për diplomatët rusë dhe punonjësit e Ambasadës dhe Konsullatave të Përgjithshme. Për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e tyre, udhëheqja ruse vendosi të evakuojë stafin e misioneve ruse në Ukrainë, gjë që do të zbatohet në të ardhmen shumë të afërt“, tha Ministria e Jashtme ruse përmes një deklarate.
Dhjetëra shtete perëndimore kanë zhvendosur ambasadat e tyre nga Kievi në Lviv, qytet që gjendet në kufi me Poloninë, teksa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për muaj me radhë kanë akuzuar Rusinë se po planifikon që ta sulmojë Ukrainën.