Kryeministri, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti mori pjesë në mbledhjen e kryesisë së partisë me koordinatorët e rinj të qendrave.
Siç bëhet e ditur përmes një komunikatë nga LVV, në hapje të mbledhjes, Kurti uroi koordinatorët e rinj për detyrën e marrë, duke theksuar rëndësinë që ata kanë në udhëheqjen e procesit të brendshëm zgjedhor në këtë fazë të re ku organizata ka një mbështetje kaq të madhe popullore.
“Viti 2022 nuk do të jetë vit i zgjedhjeve parlamentare e lokale, por vit i zgjedhjeve brenda Lëvizjes sonë”, citohet Kurti.
“Në fund të fjalës, Kurti ka njoftuar mbi punët dhe të arriturat e qeverisë me theks të veçantë ndryshimin për të mirë të të gjithë parametrave ekonomik, luftën ndaj krimit e korrupsionit dhe procesin e suksesshëm të vaksinimit ku prej zero vaksinave në fillim të mandatit sot pas njëmbëdhjetë muajsh jemi liderë në rajon”, thuhet në komunikatë.
Në pjesën e dytë të mbledhjes bëhet e ditur se janë diskutuar detyrat kryesore të Koordinatorit dhe të Grupit Punues, ku Koordinatorët e rinj do të jenë bartës të këtij procesi të brendshëm zgjedhor.
Është diskutuar po ashtu itinerari i mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme sipas dinamikës së përcaktuar nga vendimi i fundit të Këshillit të Përgjithshëm.
Krahas procedurave të parapara me statutin e Lëvizjes Vetëvendosje, këto zgjedhje, për dallim nga zgjedhjet e tjera të mbajtura përbrenda VV-së, do të sjellin në jetë edhe dy organe tashmë statutore, atë të Gruas për Vetëvendosje dhe Rinisë për Vetëvendosje.
“Lëvizja VETËVENDOSJE!, duke i uruar punë të mbarë koordinatorëve dhe grupeve punuese nëpër secilën qendër, fton anëtarësinë dhe qytetarët të angazhohen gjatë këtij procesi të brendshëm zgjedhor në mënyrë që mbështetjes së madhe për subjektin tonë t’ia shtojnë edhe angazhimin përbrenda organeve të saj. Lëvizja jonë, Lëvizja e qytetarëve të Republikës do të mbetet përherë infrastrukturë e popullit përmes së cilës do të çojmë përpara ndryshimet e nevojshme për vendin, ato për të cilat angazhohemi pareshtur”, thuhet në komunikatën e LVV.