Forcat ushtarake ruse kanë sulmuar kullën e një televizioni në Kiev, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sulmi ndaj kryeqytetit ukrainas nisi vetëm pak orë pasi Ministria ruse e Mbrojtjes paralajmëroi banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi planifikonte të godiste disa objektiva.
Ministria tha se forcat e saj po përgatitej për të nisur një “sulm të precizonit të lartë” kundër “Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës dhe Qendrës për Informacione dhe Operacione Psikologjike”, në Kiev. “U bëjmë thirrje qytetarëve ukrainas të përfshirë nga nacionalistët ukrainas në provokime kundër Rusisë, si edhe banorëve që jetojnë në zonat përreth, që të largohen nga shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftim.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, paralajmëroi se trupat ruse janë shumë pranë kryeqytetit të Ukrainës dhe tha se forcat vendase janë gati për ta mbrojtur atë, përcjell a2cnn. “Armiku është në periferi të Kievit. Forcat tona të armatosura, po luftojnë heroikisht për atdheun tonë”, tha Klitschko në një videomesazh në Facebook. “Janë ngritur fortifikime përgjatë hyrjeve në qytet. Iu kërkoj të gjithëve që të ruani qetësinë. Mos dilni jashtë nëse nuk është e nevojshme dhe futuni nëpër strehime nëse bie alarmi”, shtoi ish-kampioni i boksit.
Më herët, u raportua se nja karvan disa dhjetëra kilometra i gjatë me mjete të rënda, tanke dhe artileri ruse i ishte drejtuar Kievit, pasi rusët duan me çdo kusht të marrin kontrollin e kryeqytetit. Në një mesazh të mëparshëm, Presidenti Volodymyr Zelensky tha se mbrojtja e Kievit, ishte prioriteti kryesor i qeverisë së tij. “Kievi është i veçantë. Nëse mbrojmë atë, mbrojmë të gjithë shtetin. Është zemra e vendit, duhet të vijojë të rrahë”, tha ai.