Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar homologut amerikan Joe Biden që të japë një mesazh të fortë dhe “të dobishëm” në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës, në një intervistë ekskluzive me CNN dhe Reuters nga bunkeri në Kiev në të cilën ai po udhëheq reagimin e ushtrisë së tij.
“Është shumë serioze… Unë nuk jam në një film,” tha Zelensky, një ish-aktor i komedisë.
“Unë nuk jam ikonë, mendoj se Ukraina është ikonë… Ukraina është zemra e Evropës dhe tani mendoj se Evropa e sheh Ukrainën si diçka të veçantë për këtë botë. Kjo është arsyeja pse [bota] nuk mund ta humbasë këtë diçka të veçantë. ”
Presidenti ukrainas tha më herët se mbrojtja e kryeqytetit të vendit, Kiev, është “prioriteti kryesor” për shtetin.
“Ne po luftojmë vetëm për tokën dhe lirinë tonë,” i tha Zelensky Parlamentit Evropian sot, duke bërë që përkthyesi i BE-së të emocionehet. “Ne dëshirojmë t’i shohim fëmijët tanë të gjallë. Mendoj se është e drejtë.”
“Ne po luftojmë për jetën tonë… Ne po luftojmë për mbijetesë. Ky është motivimi ynë më i lartë,” tha Zelensky.