Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën që beson se Rusia po godet civilët në Ukrainë, por sipas tij është ende herët për të thënë se po kryhen krime lufte. “Është e qartë që po godasin civilët”, tha Biden. “Po e ndjekim situatën nga shumë afër. Por është herët për ta thënë këtë”.
Teksa SHBA po kërkon mënyra të ndryshme për të dënuar Rusinë, Biden gjithashtu tha se mundësia për të sanksionuar eksportet ruse të naftës mbetej reale, edhe pse zyrtarët amerikanë e kanë paralajmëruar që të bëjë kujdes për të ruajtur sa më minimal impaktin e këtij vendimi në çmimin e karburanteve në SHBA dhe në botë. “Asgjë nuk përjashtohet”, tha Biden, i pyetur specifikisht për sanksionimin e naftës ruse.
Biden tha gjithashtu se i takon Presidentit Volodymyr Zelensky për të vendosur nëse do të largohet apo jo nga Ukraina, ndërsa rusët kanë rrethuar Kievin. “Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar”, tha Biden.
Zelensky ka thënë më parë se ai dhe familja e tij ishin objektivi numër një i Rusisë gjatë pushtimit./a2cnn