Përmes një rrëfimi emocional një grua nga qyteti i Harkivit të Ukrainës i ka bërë thirrje botës që të vendosin zonë ndalim-fluturimi mbi vendin e tyre, për të ndaluar bombardimet nga forcat ruse.
Yulia Sukhovyeyeva është në mesin e miliona ukrainasve që po ikin nga vendi për t’i shpëtuar luftës, disa ditë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Ju lutem, vendosni zonë ndalim-fluturimi mbi Harkiv, sepse fëmijët tanë po vdesin atje. Ju lutem. Ju lutem ndaleni këtë luftë nëse mundeni”, thotë ukrainasja mes lotësh.
Sukhovyeyeva thotë se u detyrua të largohej nga shtëpia dhe nga prindërit e saj për ta shpëtuar djalin e saj Mykyta.
“Biri im dhe unë po shkojmë drejt kufirit me Poloninë”, u shpreh gruaja.
Ajo potencon se ka në plan ta nxjerrë fëmijën e saj jashtë, dhe se planifikon të kthehet në qytetin e saj, ku prindërit e saj vazhdojnë të qëndrojnë.