Më shumë se 1 milion fëmijë kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje në më pak se dy javë që kur Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë, tha kreu i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).
“Të paktën 37 fëmijë janë vrarë dhe 50 janë plagosur”, tha në një deklaratë drejtoresha ekzekutive Catherine Russell.
Russell tha se ajo ishte “e tmerruar” nga sulmi i raportuar në një spital për fëmijë në qytetin ukrainas të Mariupol, ku zyrtarët thanë se një sulm ajror rus varrosi pacientët nën rrënoja, pavarësisht një armëpushimi të rënë dakord.
Bombardimi, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e quajti një “mizori”, ndodhi pavarësisht një armëpushimi të rënë dakord për t’u mundësuar mijëra civilëve të bllokuar në qytet të shpëtonin, raporton Guardian, transmeton Klankosova.
Këshilli i qytetit të Mariupol tha se spitali ishte goditur disa herë nga një sulm ajror, duke shkaktuar shkatërrim “kolosal”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “Forcat ruse nuk qëllojnë mbi objektivat civile”.
Më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin më 24 shkurt.
Shumica e atyre që ikën janë gra dhe fëmijë, pasi burrat e aftë janë urdhëruar nga qeveria e Kievit të qëndrojnë në shtëpi për të luftuar.