Fjalë Kyçe

Karvani i vdekjes, rusët e vrarë në luftë po dërgohen fshehurazi në Bjellorusi

Karvani i vdekjes, rusët e vrarë në luftë po dërgohen fshehurazi në Bjellorusi

Kufomat e ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë, janë transportuar me autobusë për në Bjellorusi ku më pas transportimi i tyre ka vazhduar për në Rusi me trena dhe aeroplanë – duke tentuar kështu që transportimin ta bëjnë gjatë natës dhe të mos vërehet konvoji.

Videoja e postuar nga Radio Evropa e Lirë, shfaq autoambulancat ushtarake që i prijnë konvojit të autobusëve drejt qytet bjellorus Homel, ku punonjësit e spitalit të këtij qyteti kanë pranuar se mbi 2.500 trupa të pajetë nga aty janë nisur drejt Rusisë gjatë natës së 13 marsit.

Sipas ushtrisë ukrainase, mbi 14 mijë ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, derisa inteligjenca amerikane vlerëson se janë diku 7 mijë.

“Pasagjerët në stacionin e trenit në Mazsyr, ishin të shokuar kur panë vagonët e mbushur me kufoma. E pasi filluan t’i nxjerrin telefonat për t’i filmuar, janë urdhëruar nga ushtria që mos ta bëjnë një gjë të tillë”, kanë njoftuar mjekët bjellorusë.

Stafi mjekësor i spitalit bjellorus në Homel në juglindje të këtij vendi, kanë bërë të ditur se “morgjet” janë mbingarkuar nga numri i madh i kufomave të ushtarëve rusë, përcjell telegrafi.

“Nuk kemi mjaftueshëm kirurgë. Më herët kufomat transportoheshin me autoambulanca të stërmbushura dhe më pas dërgoheshin për në Rusi me trena. E arsyeja pse po transportohen natën, është se nuk duan të tërheqin vëmendjen dhe të fshehin numrin e saktë të vrarëve”, tha një mjek në spitalin e Mazyrit.

Madje pacientët me sëmundje jo edhe aq serioze janë liruar nga spitalet në Bjellorusi, për shkak të numrit të madh të ushtarëve rusë të plagosur që po dërgohen atje për t’u trajtuar.