Ministria ruse e mbrojtjes ka ofruar hapjen e korridoreve humanitare të hënën në mëngjes në Mariupol, raporton BBC.
Në një deklaratë, gjenerali Mikhail Mizintsev propozoi hapjen e korridoreve nga ora 10:00 me orën e Moskës (07:00 lokale), fillimisht që trupat ukrainase dhe “mercenarët e huaj” të dorëzonin armët dhe të largoheshin.
Më pas, nga ora 12:00, autokolonave humanitare me ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera do t’u mundësohet kalimi i sigurt në qytet nga të dy drejtimet, tha ai, pas çminimit të rrugëve.
Ai tha se deri në 130,000 civilë po “mbaheshin peng” atje dhe do të mund të shkonin në lindje ose në perëndim, nëse Kievi përgjigjet pozitivisht deri në orën 05:00 me kohën e Moskës.
Përpjekjet e mëparshme për evakuimin e civilëve nga Mariupol u ndërprenë shpejt kur Rusia rifilloi bombardimet.