Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë për CNN nuk mohoi se Rusia mund të përdorë armë bërthamore.
Kur u pyet për rrethanat në të cilat Vladimir Putin mund të përdorë armët bërthamore, Peskov u përgjigj: “Nëse shohim kërcënim të rëndë për vendin tonë, mund të përdoren”.
Në shkurt, Presidenti rus pati thënë në një deklaratë se kushdo që do të përbënte kërcënim për Rusinë dhe popullin rus, do të përballej me përgjigjen e tij të menjëhershme, “dhe pasojat do të ishin si kurrë më parë në histori”.
Më vonë, në një takim me zyrtarë të mbrojtjes, Putin nënvizoi: “Zyrtarë të vendeve të NATO-s kanë bërë komente agresive ndaj vendit tonë, prandaj do të urdhëroj ministrin e Mbrojtjes që të vendosë në gatishmëri ushtrinë”.
Në intervistën për CNN, Peskov pranoi se Putin ende nuk ka arritur qëllimin e tij në Ukrainë: “Nuk ka asnjë arritje deri tani. Operacioni ushtarak special po vazhdon siç ishte parashikuar dhe po përmbushim qëllimet që i kishim vënë vetes paraprakisht”.
Peskov përsëriti kërkesat e Putinit, duke thënë se “qëllimet kryesore të operacionit janë të eliminohet potenciali ushtarak i Ukrainës, të sigurohet që Ukraina do të jetë vend neutral, të eliminohen batalionet nacionaliste, Ukraina të pranojë që Krimea është pjesë e Rusisë dhe të pranojë pavarësinë e Luhanskut dhe Donetskut”./a2cnn