Rusia kërkon që Ukraina të përjashtojë mundësinë e anëtarësimit në NATO. Por edhe vendet tradicionalisht neutrale kanë kthyer tani vështrimin nga NATO-ja për shkak të kërcënimit rus.
Një Ukrainë neutrale, ndoshta sipas modelit suedez apo austriak? Qeveria ruse e solli këtë ide në mes të marsit në një nga raundet e negociatave si një rrugëdalje nga lufta. “Ky është një variant që po diskutohet dhe mund të shihet si një kompromis i caktuar,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov më 16 mars.
Në periudhën prej pavarësisë së saj në vitin 1990 e deri në vitin 2014, kur Rusia ndërhyri dhe okupoi Krimenë, Ukraina ishte zyrtarisht neutrale. Por pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, parlamenti ukrainas e braktisi këtë politikë. Në fillim të vitit 2019, ajo votoi me një shumicë të madhe ndryshimin e kushtetutës. Që atëherë, jo vetëm anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por edhe në NATOka qenë një synim kombëtar me status kushtetues.
Por jo vetëm Rusia dëshiron ta parandalojë këtë. Vetë NATO refuzon sepse nuk dëshiron të futet në një luftë kundër Rusisë. Presidenti ukrainas Volodymyr Selenskyj ka pranuar ndërkohë se qëllimi për t’u bashkuar me NATO-n është ndoshta i paarritshëm.
Neutraliteti i imponuar
Pra, a mund të jetë neutraliteti një opsion për Ukrainën? Tre vende neutrale në veçanti përmenden vazhdimisht si modele të mundshme: Austria dhe Suedia si dhe Finlanda. Secili ka një histori të ndryshme.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Austria ashtu si Gjermania, u pushtua nga katër fuqitë fituese. Bashkimi Sovjetik pranoi të tërhiqet vetëm sepse Austria u zotua për “neutralitet të përhershëm” në një marrëveshje të nënshkrur në vitin 1955. Leos Müller është historian në Universitetin e Stokholmit dhe autor i librit “Neutraliteti në historinë botërore”. Ai shkruan për DW se në rastin e Austrisë ishte “neutraliteti nga lart, përmes një traktati mes fuqive të mëdha”.
Ndryshe nga Austria, Suedia zgjodhi vet neutralitetin e saj. Ai ka qenë në fuqi për më shumë se 200 vjet, pasi vendit iu desh t’ia dorëzonte Rusisë atë që ishte Finlanda e atëhershme në luftën kundër Rusisë në vitin 1809.
Finlanda vetë fitoi pavarësinë në vitin 1917. Ajo ishte në gjendje ta ruante këtë pas dy luftërave kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ne nuk do ta kishim ruajtur sovranitetin tonë”, tha për DW ish-kryeministri finlandez Alexander Stubb, “pa një neutralitet të vetëshpallur, pragmatik dhe aspak ideologjik”. Por “fushëveprimi për politikën e sigurisë së Finlandës dhe vendimet ndërkombëtare ishte shumë i kufizuar gjatë Luftës së Ftohtë”.
Vendet neutrale në manovarat e NATO-s
Në të tre rastet, ky neutralitet u dobësua gjithnjë e më shumë gjatë dekadave në vijim. Austria, Finlanda dhe Suedia nuk janë anëtarësuar ende në ndonjë aleancë ushtarake, por janë bashkuar me Bashkimin Evropian në vitin 1995. E BE ka një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë me elementë ushtarakë. Vetëm këtë javë, ministrat e jashtëm të BE-së vendosën të krijojnë një forcë të reagimit të shpejtë me deri në 5.000 ushtarë.
Në veçanti, dy vendet në kufi me Rusinë, Suedia dhe Finlanda, janë në kërkim të bashkëpunimit ushtarak me NATO-n. Për shembull, ato po marrin pjesë në manovrën e vazhdueshme “Cold Response” (“Reagimi i Ftohtë”) në veri të Norvegjisë, disa qindra kilometra larg kufirit rus. Manovra ishte planifikuar shumë përpara luftës në Ukrainë, e Rusia ishte gjithashtu e informuar. Por tani ajo merr një kuptim tjetër. Në qershor të vitit të kaluar, Suedia dhe Finlanda u aktivizuan gjithashtu vetë: ata ftuan shtatë vende të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, në manovrën e përbashkët “Arctic Challenge 2021”.
Shumica e madhe në Finlandë për anëtarësim në NATO
Lufta në Ukrainë ndryshoi plotësisht situatën. Ndryshe nga Austria e cila shtrihet në mes të Evropës, Suedia dhe Finlanda ndihen “të ekspozuara strategjikisht” ndaj Rusisë, siç e përshkruan Leos Müller. Ai përmend kufirin e gjatë finlandez-rus si justifikim, situatën delikate në vendet anëtare të NATO-s, si Estonia dhe Letonia me pakicat e tyre rusishtfolëse dhe enklavën ruse të armatosur mirë të Kaliningradit në anën tjetër të Detit Baltik.
Ajo që është e re është se Suedia dhe Finlanda tani po diskutojnë intensivisht nëse duhet të heqin dorë nga neutraliteti i tyre dhe të kërkojnë mbrojtje nga NATO. Atëherë detyrimi i NATO-s për të ofruar ndihmë do të zbatohej edhe për to sipas nenit 5, sipas së cilit, një sulm ndaj një anëtari konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve dhe të gjithë duhet të mbrohen bashkë.
Ish-kryeministri i Finlandës Stubb beson se Finlanda do t’i bashkohet “përfundimisht” NATO-s. “Nuk është çështja nëse do t’i bashkohet, por kur”. Ai pret një aplikim finlandez “për disa muaj”. Sipas sondazheve të fundit, 62% e finlandezëve janë tani në favor të anëtarësimit, krahasuar me vetëm 16% kundër. “Treni është nisur nga stacioni,” thotë Stubb. “Ndalesa e fundit do të jetë selia e NATO-s.” Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz ka thënë tashmë se nëse Finlanda do t’i kërkonte NATO-s, ajo do të ishte “shumë e mirëpritur”.
Leos Müller në Stokholm është më i kujdesshëm. Në fund të fundit, në Suedi tani ka një shumicë relative prej 35 deri në 41 përqind në favor të pranimit. Në zgjedhjet parlamentare suedeze në shtator, çështja e anëtarësimit në NATO do të jetë një prej temave më të rëndësishme. Pas shpërthimit të luftës gjërat kanë ndryshuar shumë, thotë Müller. Ai beson se “nëse të dyja vendet duhet të bashkohen, atëherë së bashku, të koordinuar”.
Çmilitarizimi do të ishte “i paimagjinueshëm për një vend neutral”
Këto dy vende, të cilat mund të heqin dorë nga neutraliteti i tyre, për shkak të kërcënimit rus, nuk janë më një model i mundshëm edhe për Ukrainën. Deri më tani nuk ka pasur lëvizje të krahasueshme në Austri. Por Austria është gjeostrategjikisht në një pozicion tjetër.
Por pavarësisht se cilin shembull përdorni, Leos Müller beson se neutraliteti nuk do të funksiononte për Ukrainën: shtete ose organizata të tjera, si SHBA, Rusia apo NATO, do të duhej të garantojnë këtë neutralitet dhe të mbrojnë Ukrainën në rast të një sulmi. “Por kjo kërkon funksionimin e ligjit ndërkombëtar, marrëveshje dhe organizata funksionale. E sot Rusia po i shkelë të gjitha këto marrëveshje dhe organizata.” Përveç kësaj, Rusia po kërkon një “çmilitarizim” të Ukrainës – “një kërkesë e paimagjinueshme për një vend neutral”, thotë Müller. Ashtu si Suedia apo Zvicra, edhe Ukraina ka nevojë për kapacitete mbrojtëse.
Ukraina e ka parë tashmë se garancitë ndërkombëtare në fund të fundit mund të jenë të pavlera. Në vitin 1994, në Memorandumin e Budapestit, ajo u zotua të heqë dorë nga armët bërthamore që kishte marrë nga trashëgimia pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik. Në këmbim, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe morën përsipër të respektojnë sovranitetin dhe kufijtë e Ukrainës. 20 vjet më vonë, Rusia aneksoi Krimenë e Ukrainës, e dy fuqitë perëndimore e lejuan atë.
Gjendja si në vitin 1914
Si historiani suedez Müller ashtu edhe ish-kryeministri finlandez Stubb e konsiderojnë luftën në Ukrainë si një pikë kthese dramatike. “Lufta e Putinit aktualisht po shkatërron rendin botëror pas vitit 1945”, tha Leos Müller.
Alexander Stubb shton: “Për mua ky moment është si ai i vitit 1914, i vitit 1939 apo 1989”. Pas Perdes së Hekurt të Luftës së Ftohtë, tani do të ketë një perde të re në Evropë dhe “Rusia do të izolohet plotësisht”. Sigurisht që në një moment do të duhet të merreni sërish me Rusinë. “Por për mua si një finlandez është një realizim dramatik që ne ndoshta nuk do të kemi asnjë kontakt me fqinjët tanë me kufirin tonë 1340 kilometra të gjatë për një kohë të pacaktuar.”
Nëse Finlanda heq dorë nga neutraliteti i saj dhe bëhet anëtare e NATO-s, Rusia dhe aleanca perëndimore do të jenë kokë më kokë në këtë kufi të gjatë në Evropën veriore./DW