Gjermania rriti nivelin e alarmit të planit të saj emergjent për gaz, teksa frika është rritur se Rusia do të ndërpresë furnizimet nëse shtetet perëndimore refuzojnë që të paguajnë për gazin rus me rubla.
“Do të krijohet një dhomë e krizave në ministri”, tha ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, gjatë një konference për media pasi shtetet e G7-ës refuzuan kërkesën e Rusisë për pagesën e energjisë ruse me rubla, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Masa e “parë parandaluese” e panit emergjent të Gjermanisë për gaz, është një masë “parandaluese” që ka për qëllim të sigurojë furnizimet me gaz, tha Habeck.
Sipas tij, rezervat e gazit aktualisht janë në 25 për qind të kapacitetit. Ai shtoi se ndalesa e dërgesave nga Rusia do të kishe pasoja “serioze”, edhe pse tregoi se furnizimet ende nuk janë ndalur.
Kremlini ka thënë se do të pranojë vetëm pagesa me rubla për furnizimet me gaz në shtetet e Bashkimit Evropian dhe e cilësoi deklarimin e G7-së si “të papranueshëm”.
“Ne nuk do të pranojmë shkeljen e marrëveshjeve private” për dërgesat e gazit, tha Habeck.
Gjermania varet shumë nga gazi rus për nevojat e saj energjetike pasi 55 për qind e furnizimeve të saj dërgoheshin përmes tubacioneve nga Rusia, para se Moska të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Që prej nisjes së luftës, Gjermania ka rritur përpjekjet për të ulur varësinë e saj nga gazi rus dhe për të diversifikuar furnizimet e saj të energjisë.