Mykola Kravchenya, një banor i një fshati në veriperëndim të Kievit, thotë se trupat ruse vranë djalin e tij kur pushtuan rajonin në veri të kryeqytetit të Ukrainës.
“Ata erdhën, u thanë të dilnin nga shtëpia”, tha ai për Euronews. “Ai dhe gruaja e tij dolën nga shtëpia, me armët në kokat e tyre. E lanë gruan e tij të shkojë, ajo tha se kam dy fëmijë, mos më vrit mua. Dhe pastaj e qëlluan atë (djalin)”.
Djali i Kravchenya ishte një nga 40 njerëzit në Andriivka që u vranë; gjashtë prej tyre u varrosën së fundi në varrezat e fshatit pasi u zhvarrosën nga ku u varrosën në kopshtet e njerëzve.
“Nuk kam më lot. Çfarë mund të bëj?”, thotë Kravchenya.
“Gjëja më e rëndësishme është se (djali im) nuk e tradhtoi Ukrainën. Kjo është më e rëndësishmja”.
Dhe siç vë në pah Euronews, fragmente bombash mbeten ende në fshat, ku duket se nuk është kursyer asnjë shtëpi, përcjell telegrafi.
Disa zona kanë pikëpyetje të mëdha të vizatuara, që tregojnë se aty mund të ketë pajisje të pashpërthyera si mina ose bomba.
Rreth 1,000 njerëz jetonin në fshatin 60 kilometra në veriperëndim të Kievit përpara luftës por shumë u larguan para se të ishte nën pushtimin e plotë nga trupat ruse.