Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për negocimin e marrëveshjes për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së shtetit të Izraelit, e po ashtu është aprovuar edhe negocimi i marrëveshjes për bashkëprodhim kinematografike ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Francës.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se qëllimi për të krijuar kushte më të mira në zhvillimin e politikave për kinematografinë, MKRS në bashkëpunim me institucionet përkatëse të shtetit të Izraelit, kanë marrë iniciativë për negocimin e marrëveshjes së bashkëprodhimit filmik ndërmjet Qeverise të Republikë së Kosovës dhe Qeverisë së shtetit të Izraelit.
“Duke pas parasysh se bashkëpunimi i ndërsjellët i shërben zhvillimit të prodhimit të filmit, inkurajon zhvillimin e mëtejme të lidhjeve kulturore dhe teknologjike mes dy vendeve tona, si dhe ky bashkëprodhim mund të kontribuojë edhe në rritjen ekonomike të industrisë së prodhimit të filmit. Konsiderojmë se me anë të nënshkrimit të kësaj marrëveshje për bashkëprodhim filmik, përveç përfitimit direkt që do të ketë komuniteti i kinematografisë, po ashtu do të thellohet edhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve tona”, tha ajo.
Osmani ka shtuar se duke marrë për bazë sukseset e ndërvitshme, sidomos këto të dy viteve të fundit në fushën kinematografisë, MKRS-ja është angazhuar për të mbështetur zhvillimet e talenteve të jashtëzakonshëm që janë në këtë fushë, e po ashtu të fuqizojnë edhe investimet e nivelit institucional në kinematografi.
Sipas saj, MKRS dhe Ministria e Kulturës së Francës kanë arritur të dakordohen për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëprodhimit në kinematografinë ndërmjet vendit tonë dhe Francës.
“Si ministri së bashku me Ministrinë e Kulturës së Francës kemi arritur dakordim për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëprodhimit në kinematografinë ndërmjet Francës dhe Kosovës. Kjo marrëveshje e cila planifikohet të nënshkruhet në festivalin e Kanës, është hapi i radhës për ngritjen e industrisë së kinematografisë kosovare në nivel botëror. Kjo hap rrugë për të gjithë komunitetin artistik të kinematografisë dhe do të krijojë mundësi të reja të bashkëpunimit”, tha ajo./kp