Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se e drejta e gruas për të kryer abort “është e drejtë themelore”.
Biden i bëri komentet pas rrjedhjes në publik të një dokumenti të Gjykatës Supreme të SHBA-së, sipas të cilit, shumica konservatore e gjyqtarëve po përgatitet ta përmbysë vendimin e vitit 1973 “Roe v. Wade”, që ka legalizuar abortin në nivel kombëtar.
Biden tha se administrata e tij është e gatshme t’i mbrojë të drejtat e abortit.
“Do të jemi gati kur të lëshohet ndonjë vendim”, tha ai.
“Unë besoj se e drejta e një gruaje për të zgjedhur është themelore”, tha Biden.
Vendimi final i Gjykatës Supreme mund të merret në fund të qershorit ose fillimit të korrikut, raportojnë mediat amerikane.
Vendimi “Roe v. Wade” është bazuar në konstatimin se e drejta e gruas për të ndërprerë shtatzëninë, bën pjesë në liritë personale, të mbrojtura me Amendamentin e 14-të të Kushtetutës amerikane.
Vendimi u ka dhënë grave amerikane të drejtën absolute për abort, por vetëm në tre muajt e parë të shtatzënisë. Pas kësaj periudhe, shtetet individuale mund të vendosin vetë.
Gjykata Supreme e SHBA-së, e cila përbëhet prej nëntë anëtarësh, ka shumicë konservatore, falë tre gjykatësve që i ka emëruar ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
Konservatorët, ndryshe nga liberalët, janë kundër abortit./rel