Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka planifikuar që të vizitojë Serbinë këtyre ditëve. Mirëpo, një vizitë të ngjashme ka planifikuar edhe kanceliar gjerman, Olaf Scholz.
Mediat beogradase raportojnë se këto dy vizita do të mund të sjellin telashe protokollare.
“Ende e pasigurt nëse protokollet e takimeve dypalëshe dhe pritja për të gjithë të ftuarit do të rrezikohen nga diplomacia “nën tavolinë”, siç bëjnë me dije informacionet jozyrtare se i ftuari i lartë nga Berlini është gati të anulojë”, shkruan Novosti, transmeton Indeksonline.
Nga ana tjetër, përmendet se disa nga vendet mund të ndalojnë fluturimin e avionit në të cilin do të ishte Lavrov.
Se diçka nuk është në rregull e konfirmoi edhe deklarata e presidentit, Aleksandar Vuçiq. Dy ditë më parë, ai tha se gjërat ishin të ndërlikuara rreth ardhjes së Lavrov, por nuk deshi të zbulonte detaje.
“Unë e di diçka që ti nuk e di. A do të jetë gjithçka në rregull? Do të shohim. Gjithçka mund të jetë mirë, e ndoshta jo”, tha Vuçiq.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zaharova, tha të premten se Lavrov do të vizitojë Serbinë më 6 dhe 7 qershor dhe do të bisedojë me presidentin Vuçiç.
Në konferencën për media, ajo theksoi se do të bisedojë edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq, kryetarin e Kuvendit Popullor, Ivica Daçiq dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirio.
Ajo tha se tema të diskutimit pritet të jenë bashkëpunimi dypalësh politik dhe ekonomik, shkëmbimi i mendimeve për situatën në rajonin e Ballkanit, si dhe për çështjet aktuale ndërkombëtare.
Gjithashtu në Berlin u konfirmua se Scholz javën e ardhshme do të bëjë një vizitë dyditore në Ballkanin Perëndimor, Kosovë, Greqi dhe Bullgari.