Gjykata e Lartë e SHBA-së ka rrëzuar një ligj të New Yorkut që kufizon të drejtat e mbajtjes së armëve.
Ligji kërkonte që banorët që duan një licencë për armë, të dëshmojnë “kauzën e duhur” për ta mbajtur atë. Mirëpo, në vendimin që mori 6 vota për dhe 3 kundër, thuhet se kërkesa shkel të drejtën kushtetuese për të mbajtur armë.
Vendimi rrezikon kufizimet e ngjashme në shtetet e tjera dhe zgjeron të drejtat për mbajtjen e armëve.
Gjykatësi Clarence Thomas, u shpreh se amerikanët kanë të drejtë të mbajnë armë zjarri për mbrojtje personale.
“E drejta e Amendamentit të Dytë për të mbajtur armë nuk është një e drejtë kushtetuese e klasit të dytë që u nënshtrohet kufizimeve më të mëdha se garancitë e tjera të Ligjit të të Drejtave”, shkroi ai.
Gjyqtarët liberalë Elena Kagan, Sonia Sotomayor dhe Stephen Breyer kundërshtuan.
Vendimi i Gjykatës së Lartë vjen në kohën kur është rritur diskutimi mbi të drejtat për mbajtjen e armëve, pasi të shtënat, duke përfshirë ato në një shkollë fillore në Uvalde, Teksas dhe në një dyqan ushqimesh në Buffalo, Neë York muajin e kaluar, lanë të vdekur dhjetëra persona, në mesin e tyre shumica fëmijë.
Përpara vendimit të Gjykatës së Lartë, Senati i SHBA-së ka njoftuar për hapa drejt legjislacionit të ri që shtrëngon qasjen ndaj armëve të zjarrit.
Në kundërshtimin e tij, gjyqtari Breyer vuri në dukje se dhuna me armë ka marrë një numër të konsiderueshëm jetësh në SHBA këtë vit.
“Vetëm që nga fillimi i këtij viti, ka pasur tashmë 277 të shtëna masive të raportuara – mesatarisht më shumë se një në ditë”, tha ai.
Gjashtë shtete të tjera amerikane kanë ligje të ngjashme që ka të ngjarë të ndikohen nga vendimet e gjykatës.
Vendimi u kundërshtua nga zyrtarët e New Yorkut, përfshirë guvernatoren demokrate, Kathy Hochul.
Shoqata Kombëtare e Pushkës, nga ana tjetër, festoi për vendimin.