Fjalë Kyçe

Rusia godet me raketa Kievin

Rusia godet me raketa Kievin

Raketa ruse ranë në kryeqytetin ukrainas – një predhë goditi një ndërtesë nëntëkatëshe apartamentesh. Kryebashkiaku Kliçko raportoi dy të plagosur dhe disa njerëz nën rrënoja.

Ushtria ruse ka goditur me raketa kryeqytetin ukrainas, Kiev. U raportuan disa shpërthime. Një predhë goditi një ndërtesë apartamentesh nëntëkatëshe, shkroi në Telegram Anton Herashçenko, këshilltar i ministrit të brendshëm ukrainas. Sipas mbrojtjes civile, të paktën një person ka mbetur i plagosur në ndërtesë. Operacionet e ndihmës vazhdojnë.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Kliçko tha se dy persona u plagosën dhe njerëzit ishin ende të bllokuar nën rrënoja. “Disa shpërthime në lagjen Shevchenkivsky,” shkroi Kliçko në Telegram. “Ambulanca dhe ndihma e parë ndodhen në vendngjarje. Në dy pallate po kryhet shpëtimi dhe evakuimi i banorëve”.

Deputeti ukrainas Olexiy Hontçarenko shkroi se trupat ruse hodhën 14 raketa në Kiev dhe rrethinat e tij gjatë mëngjesit. Herët në mëngjes në Kiev qe dëgjuar alarm ajror.

Kievi ka qenë rrallë shënjestër e sulmeve në javët e fundit. Hera e fundit që qyteti u godit ishte në fillim të qershorit.