Fjalë Kyçe

Turqia paralajmëron se mund të bllokojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Turqia paralajmëron se mund të bllokojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Disa javë pas nënshkrimit të një protokolli me kandidatët për anëtarësim në NATO, Suedinë dhe Finlandën, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka deklaruar të hënën se Turqia ende mund të bllokojë anëtarësimin e dy vendeve nordike në aleancë, nëse ato nuk ndërmarrin hapa që përmbushin kërkesat e sigurisë të Ankarasë.

Muajin e kaluar, Turqia tërhoqi kundërshtimin e saj mbi anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në aleancë, por paralajmëroi se do të bllokonte procesin nëse dy vendet nuk arrijnë të ekstradojnë të dyshuarit për lidhje me grupet e jashtëligjshme kurde ose rrjetin FETO të klerikut në mërgim të akuzuar për orkestrimin e një grushti të dështuar shteti në vitin 2016-të.

Pranimi i vendeve nordike në NATO duhet ende të miratohet nga parlamentet e të 30-të anëtarëve të NATO-s dhe parlamenti i Turqisë mund ta refuzojë ende ratifikimin e marrëveshjes.

“Dëshiroj të kujtoj edhe një herë se nëse këto vende nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të përmbushur kushtet tona, ne do të ngrijmë procesin (e anëtarësimit)”, tha Erdogan pas një takimi të kabinetit qeveritar. “Qëndrimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë. Pjesa tjetër u takon atyre.”

Erdogan tha se Suedia në veçanti nuk po “projektonte një imazh të mirë”, por nuk dha detaje.

Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga Suedia dhe Finlanda ndaj komenteve të Erdoganit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë konferencës për media më 13 korrik 2022.
LEXONI EDHE KËTË:
Shqipëria i ofron NATO-s bazë detare në Durrës
Turqia i akuzon të dy vendet se janë shumë tolerantë ndaj grupeve që i konsideron si kërcënime të sigurisë kombëtare. Ministri i drejtësisë i Turqisë tha në fillim të këtij muaji se qeveria kishte ripërsëritur kërkesat për ekstradimin e të dyshuarve për terrorizëm të paraqitura nga vendi i tij.

Turqia, Suedia dhe Finlanda nënshkruan një memorandum të përbashkët gjatë një samiti të NATO-s muajin e kaluar.

Marrëveshja i lejon vendet të anëtarësohen në NATO, por kërkon që ato të ndërmarrin hapa për shqetësimet e Turqisë mbi terrorizmin dhe të heqin embargon e armëve ndaj Ankarasë.

Pas marrëveshjes trepalëshe, NATO ftoi zyrtarisht Suedinë dhe Finlandën për t’u bashkuar me aleancën ushtarake 30-anëtarëshe.