Për dy javë mbi 100 mysafirë nga e gjithë bota do të marrin pjesë në edicionin e Seminarit të Gjuhës Shqipe. Këtë vit do të mbahet edicioni i dyzetë, ku do të marrin pjesë albanologë të huajë e vendorë. Gjatë ditës së sotme kanë nisur punimet e këtij edicioni jubilar, i cili do të zgjas deri më 26 gusht. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, u tha se është ngjarja më e rëndësishme në fushën e albanologjisë.
Në hapje të seminarit, fjalën e kryeministrit e ka lexuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku foli për rëndësinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
“Gjuha dhe fjalët një nga një na mbajnë gjithmonë para një përgjegjësie të lartë madje ndoshta jo vetëm të përgjegjësisë por edhe të borxhit. Gjuha na ka dhënë aq shumë secilit prej nesh por kjo dhënie në fund dhuratë prej gjuhës dhe prej hartuesve të saj duhet të kthehet në marrëdhënie, pra atë që e kemi marrë duhet edhe ta japim. Raporti mes gjuhës e kombit nuk është veçse historik, këto janë dy vetëdije që po e ndihmojnë dijen dhe kureshtjen universale. Nëpërmjet gjuhës jo vetëm është mësuar dashuria për kombin, por edhe për vet jetën, për vet gjuhën dhe njerëzore”, u shpreh Nagavci.
Më tej, në këtë letër thuhej se roli i seminarit ka vlerë të madhe. Aty u përmend edhe hartimi i koncept-dokumentit për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë.
“Edicioni i dyzetë i seminarit për aq sa jam njoftuar do të ketë numrin më të madh të seminaristëve e pjesëmarrësve ndonjëherë, rreth 150 sosh. Duke ju përgëzuar për këtë vit jubilar uroj për ligjërata, sesione e kurse sa më të frytshme të shtjellimit të problematikave gjuhësore dhe të mësimit të shqipes”, thuhet në letrën e shkruar nga kryeministri Albin Kurti.
E, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott gjatë fjalimit të tij në gjuhën shqipe ka treguar për periudhën e tij nëntë-mujore të mësimit të kësaj gjuhe.
“Kam mësuar frëngjisht dhe arabisht përpara, por mund të flas me siguri që gjuha shqipe është e veçantë, një ndër gjuhët e rralla indoevropiane. Gjatë kohës kur kam kaluar duke mësuar gjuhën shqipe në Londër dhe Gjakovë, një ndër pjesët më të vështira ka qenë që rregullat e shkruara gramatikore duhet të shqiptohen. Kjo edhe e bën gjuhën shqipe unike në mesin e gjuhëve botërore. Ndoshta edhe do të më kishte ndihmuar sikur të kisha marrë pjesë në ligjëratën e Vladimir, metodën më të mirë për të mësuar gjuhën shqipe si gjuhë të dytë. Por, pavarësisht vështirësive duke mësuar gjuhën shqipe dhe njëkohësisht duke mësuar kulturën dhe historinë shqiptare, ka qenë një kënaqësi e madhe dhe një eksperiencë e paharrueshme”, ka thënë ambasadori britanik.
Në shënimin e edicionit të dyzetë të këtij seminari, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka folur për vështirësitë e organizimit të këtij seminari në fillimin e tij.
“Uroj që këto ditë krahas ngjarjeve dhe organizimeve në kuadër të seminarit, të keni mundësi përveç vizitës në lokacione të ndryshme, të vizitoni dhe të përjetoni nga afër ndonjërin nga aktivitetet në kuadër të bienales nomade ‘Manifesta 14’, e cila këto ditë është duke u zhvilluar në kryeqytetin tonë. Dhe në këtë mënyrë në fund të këtij seminari jubilar, të ndaheni me përshtypje për Universitetin e Prishtinës, për Prishtinën dhe Kosovën që do të mbesin gjatë në vëmendjen tuaj”, ka thënë Sahiti.
Më tej, drejtori i seminarit të Gjuhës Shqipe, Shkumbin Munishi tha se edicioni i sivjetmë po mbahet në përputhje me traditën e krijuar përgjatë pesë dekadave.
“Këtë vit numri i pjesëmarrësve të huajë në seminar do të kalojë numrin 100 dhe po të mos ishin kufizimet e natyrës logjistike, buxhetore e teknike, ky numër sigurisht që do të ishe më i madh. Pa dyshim një interesim kaq i madh për të marrë pjesë në seminar është tregues i qartë se seminari nuk e ka humbur aspak as rëndësinë, as cilësinë. Dhe vazhdon të jetë ngjarja kryesore në fushën e albanologjisë. Në këtë edicion jubilar, programi i seminarit do të jetë mjaft i ngjeshur dhe i larmishëm me tema të ndryshme. Gjatë këtyre ditëve do të kemi ligjërata të shumta që do të mbahen nga albanologë të shquar ndërkombëtarë dhe shqiptarë, të cilët do të trajtojnë çështje me interes nga fusha e studimeve mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare”, u shpreh Munishi në hapje të seminarit.
Seminari është organizim i përbashkët me Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë dhe Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Zëvendësrektori Bernard Dosti në hapjen e këtij seminari tha se seminari i Prishtinës ka një traditë të suksesshme.
“Rrugëtimi i këtij seminari ashtu si dhe historia jonë nuk ka qenë i lehtë por mbase ky ka qenë një nga faktorët e peshës së tij, ku kufijtë e Shqipërisë ishin të mbyllur nga diktatura, Prishtina dhe seminari i saj ishte mundësia më e mirë për studiuesit e të gjitha trojet. Po ashtu kur lufta e Kosovës e bëri të pamundur zhvillimin e tij, Tiranës iu dha mundësia që të bashkë kontribuonte në vijimin e suksesshëm. Është krenari e përbashkët që të dy universitetet tona janë prej vite së bashku organizatorë të tij”, u shpreh Dosti.
Ndërkaq, dekanja e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, Lindita Rugova tha se prezenca e seminaristëve po e kthen Prishtinën dhe UP-në në qendër të diskutimeve dhe të aktivitetit akademik.
Ky seminar, i cili është themeluar në vitin 1974, organizohet për studentët dhe studiuesit e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, por edhe për albanologjinë në përgjithësi.