Ofruesit e shërbimeve të energjisë në Gjermani, kanë thënë se mund të vazhdojnë punën në tri centralet e vetme bërthamore edhe përtej afatit për mbyllje këtë vit, mirëpo i përket Berlinit që të marrë vendimin.
Operatorët e rrjetit të energjisë janë duke testuar sistemin e transmisionit, për të vlerësuar rrezikun në rast të përshkallëzimit të situatës me furnizimet ruse të gazit, teksa afrohet dimri.
Rezultatet pritet të bëhen publike shpejt.
Varësisht prej të dhënave, Qeveria do të vendosë nëse do të zgjasë jetën e reaktorëve, në tentim e sipër për të forcuar ekonominë dhe për të shmangur recesionin.
Udhëheqësi i Bankës Botërore, David Malpass. Fotografi nga arkivi.
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel e pati iniciuar legjislacionin për të ndalur punën e centraleve bërthamore, pas katastrofës bërthamore në Fukushima të Japonisë më 2011.
Ndonëse atëherë legjislacioni ishte përkrahur, tani qëndrimet janë të lëkundura, për shkak të shqetësimeve se Gjermania mund të mbetet pa furnizime të gazit.
Anulimi apo shtyrja e vendimit për mbyllje nënkupton që kompanitë e kontraktuara duhet të riorganizojnë oraret e çmontimit dhe menaxhimin e personelit, derisa çështjet ligjore, të sigurisë dhe ato mbi përgjegjësinë duhet të diskutohen bashkërisht me autoritetet në Berlin.
Pse po diskutohet tani për reaktorët bërthamorë?
Rusia ka zvogëluar furnizimet me gaz në gazsjellësin Rrjedha Veriore 1, e cila bart gazin në Gjermani.
Aktualisht gazsjellësi po shfrytëzon vetëm 20 për qind të kapacitetit që ka.
Moska ka thënë se sanksionet Perëndimore, që i kanë vënë pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, janë duke penguar riparimin e pajisjeve.
Evropa, në anën tjetër, e sheh këtë qëndrim si pretekst për të zvogëluar furnizimet dhe për ta përdorur gazin si armë politike – argument që e mohon Rusia.
Gjermania – blerësja më e madhe e gazit rus – ka vendosur të zvogëlojë përdorimin e gazit për 15 për qind në periudhën janar- qershor.
Ndonëse është duke shqyrtuar mundësi të reja furnizimi, ky shtet vazhdon të jetë i varur nga Rusia.
Rregullatori gjerman i energjisë, Bundesnetzagentur, ka thënë se furnizimi më i vogël nënkupton se do të rriten problemet për ngrohje të konsumatorëve, si dhe për mbajtje të industrinë në funksion, meqë rritja e çmimeve të energjisë e rrit rrezikun e recesionit.
Centralet me gaz përbëjnë 15 për qind të prodhimit të energjisë.
Disa prej tyre mund të zëvendësohen nga centralet bërthamore, si dhe mund të ketë rritet përdorimi i thëngjillit të importuar edhe atij vendor.
Përdorimi më i vogël i gazit për ngrohje, mund t’i ndihmojë Gjermanisë që të ketë më shumë sasi për industritë.
Tri kompani gjermane operojnë me 4.400 megavat të kapacitetit bërthamor të dy reaktorëve ekzistues.
Bashkë me tre reaktorët tjerë, që janë mbyllur në fund të vitit të kaluar, centralet bërthamore kanë gjeneruar 12 për qind të rrymës së Gjermanisë.
Ky shtet ka edhe opsionet për energji diellore dhe atë me erë, si dhe është duke zhvilluar terminale me gaz të lëngshëm natyror.
Çfarë thonë operatorët?
Shefi ekzekutiv i kompanisë E.ON, Leonhard Birnbaum, ka thënë se mund të vazhdojë punën e centralit bërthamor Isar 2 për disa muaj në vitin 2023, pa pasur nevojë për investime të reja.
Shefi i kompanisë RWE, Markus Krebber, ka thënë po ashtu se centralet mund të funksionojnë edhe në javët e para të vitit të ardhshëm, mirëpo më pas duhen investime apo edhe rivitalizim të kapacitetit të mbyllur më 2021 – vendime që duhet t’i marrë Qeverisë.
Edhe shefi i kompanisë tjetër, EnBW ka pasur qëndrim të ngjashëm.
Cila është simbolika e centraleve bërthamore të Gjermanisë?
Partia e Gjelbër, tani pjesë e koalicionit qeverisës, ndjek gjurmët e lëvizjes së ambientalistëve më 1970, të cilët kanë cituar rreziqet për sigurinë dhe pyetjet pa përgjigje për mbetjet bërthamore.
Tani asaj mund t’i duhet të bëjë kthesë të madhe në qëndrime.
Deklarimet e reja për dobitë e energjisë bërthamore do të shfajësonin kritikët e Merkelit dhe zërat popullistë.