Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë në shtatëmujorin e këtij viti llogariten në 6.4 % të totalit, duke e renditur këtë vend si partnerin e katërt tregtar të Shqipërisë.
Sipas statistikave zyrtare të Institutit të Statistikave, në periudhën janar-korrik të këtij viti shkëmbimet tregtare arritën 52.8 miliardë lekë.
Referuar të dhënave, eksportet drejt Gjermanisë shënuan rritje me 79.3 % përkundrejt të njëjtës periudhë të 2021-ës. Në vlerë ato arritën në 20.2 miliardë lekë, nga 11.2 miliardë lekë që llogariteshin në 7-mujorin e 2021-shit.
Sipas raportit mbi tregtinë e jashtme, në rritjen e eksporteve, kontribuesit më të mëdhenj ishin grupi “tekstile dhe këpucë”, pasuar nga grupi “materiale ndërtimi dhe metale”.
Referuar të dhënave, edhe importet nga Gjermania shënuan rritje kundrejt të njëjtës periudhë të 2021-ës duke arritur në 32.5 miliardë lekë, nga 30.7 miliardë lekë që ishin në 2021-shin.
Qeveria Federale ka investuar në Shqipëri që prej vitit 1988 më shumë se një miliard euro në formë grantesh dhe kredish, gjë që e shndërron Gjermaninë një ndër donatorët bilateralë më të mëdhenj në vend.