Fjalë Kyçe

Asllani nga Agjencia e Statistikave: Konsumatorët të kenë kujdes në blerje, të bëjnë hulumtime

Asllani nga Agjencia e Statistikave: Konsumatorët të kenë kujdes në blerje, të bëjnë hulumtime

Ibish Asllani nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes kur blejnë produkte, të shikojnë çmimet.

Agjencia e Statistikave ka filluar me publikimin e çmimeve mesatare për 28 produkte bazike, kryesisht ushqimore.

Asllani për emisionin “Sot” në KTV ka thënë se qëllimi ka qenë që me këto t’i ofrohet ndihmë edhe Qeverisë dhe ministrive përkatëse.

“Rritja e çmimeve ka filluar nga shkurti i vitit 2021, por është trend që po vazhdon. Është një rritje agresive e çmimeve, duhet të kemi kujdes çdonjëri. Konsumatorët duhet të kenë kujdes në blerje, të shikojnë çmimet, të bëjnë hulumtime”, ka thënë Asllani.

Asllani ka thënë se përditësimi i çmimit mesatar të 28 produkteve bazike bëhet çdo ditë rreth orës 11:00. Ai ka thënë se shikohen 20 vendburime për të nxjerrë çmimet mesatare. Ndërsa te indeksi i çmimeve të konsumit që bëhet çdo muaj, shikohen rreth 1000 vendburime.

Asllani ka thënë se te çmimet e vajit ushqimor ndër të tjera, por edhe te disa produkte tjera bazike, është dashur që të jenë më të arsyshme të mos shkohet me një marzhë aq të madhe fitimi.

“Çmimet duhet të ishin më të përshtatshme për blerësit”.