Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se gjashtë persona janë vrarë dhe 53 janë plagosur në Stamboll më 13 nëntor. Ai theksoi se shpërthimi ishte “sulm me bombë” dhe mund të jetë sulm “terrorist”.
Duke folur për gazetarët para se të nisej për në Indonezi, ku do të marrë pjesë në samitin e G20-s, Erdogan tha se shpërthimi ishte sulm “i pabesë”, duke shtuar se keqbërësit do të ndëshohen.
“Mund të jem gabim nëse e them se jam i sigurt se ky është terror, por sipas shenjave të para…. ka një erë terrori në këtë ngjarje”, tha Erdogan gjatë një konference për media.
“Përpjekja për të sunduar Turqinë dhe popullin e Turqisë përmes terrorizmit nuk do të jetë e mundur të arrihet as sot, e as nesër”, shtoi ai.
Sipas liderit turk, katër persona vdiqën në vendin e ngjarjes dhe dy në spital. Edhe 53 persona të tjerë janë plagosur, sipas guvernatorit të Stambollit, Ali Yerlikaya.
Yerlikaya më herët shkroi në Twitter se të plagosurit janë duke marrë trajtim mjekësor.
Sipas guvernatorit Yerlikaya, ngjarja ndodhi në orën 16:20, sipas orës lokale.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, pesë prokurorë janë caktuar që ta hetojnë këtë ngjarje.
Zona ku ndodhi shpërthimi është evakuuar.
Pas shpërthimit në Stamboll, Ambasada e Kosovës në Ankara ka vënë në dispozicion një numër kontaktues emergjent të Konsullatës në Stamboll për qytetarët e Kosovës që gjenden në shtetin turk.
“Përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës në Turqi janë në komunikim të ngushtë me autoritetet vendore turke lidhur me zhvillimet e fundit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, vëzhguesi i mediave në Turqi ka ndaluar përkohësisht raportimeve e mediave për shpërthimin, që do të thotë se transmetuesit nuk mund të shfaqin video të momentit të shpërthimit apo edhe të momenteve pasuese. Bordi Suprem i Radios dhe Televizionit kishte vendosur ndalesa të tilla edhe në të kaluarën pas sulmeve aksidenteve apo edhe për disa çështje politike.
Në videot e postuara online shihen flakë pas një shpërthimi të fuqishëm, teksa qytetarët shihen duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Një video tjetër shfaqi autoambulancat, ekipet e zjarrfikësve dhe policinë në vendin e ngjarjes. Në mediat sociale u tha se dyqanet në këtë zonë janë mbyllur pas shpërthimit.
Bulevardi ku ndodhi shpërthimi është i frekuentuar nga turistët dhe banorët lokalë dhe aty gjenden dyqane dhe restorante.
Turqia ishte goditur nga një seri bombardimesh vdekjeprurëse ndërmjet viteve 2015 dhe 2017, përgjegjësinë e të cilave e kishin marrë grupi militantë Shteti Islamik dhe militantët kurdë.