Ish-kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ka folur për skandalin e dyshimtë financiar që ishte raportuar nga mediumi slloven, Planet TV, në të cilin përflitet si i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Jansha, me anë të një cicërime në Twitter, ka deklaruar se Parlamenti i Sllovenisë është duke u vonuar në krahasim me parlamentet e shteteve të Ballkanit për të formuar një komision hetimor në lidhje me skandalin e përfolur.
“Me sa duket, të gjitha parlamentet në Ballkan do të krijojnë komisione hetimore nën dyshimet për korrupsion në lidhje GENI, më shpejt se ai i Sllovenisë”, ka shkruar Jansha.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
Afera e dyshimtë për shpërlarje parash është zbuluar dhe transmetuar nga televizioni Planet TV të enjten. Hulumtimi thuhet se bazohet në dokumente.