Me 63 vota për është miratuar Ligji për Buxhetin 2024. Gjatë kohës kur u votua ligji, në seancën e Kuvendit të Kosovës nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës.
Gjatë seancës, asnjë nga amendamentet e propozuara nga ana e deputetëve opozitarë nuk mori përkrahjen e shumicës.
Buxheti për vitin 2024 do të jetë 3.3 miliardë euro apo 100 milionë më shumë se vitin aktual.
Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar deputetët për votën. Ka thënë se me këtë buxhet forcohet mbrojtja e Kosovës, rritet siguria e nxitet punësimi.
“Me këtë buxhet të përgjithshëm prej mbi 3.3 miliardë euro, që është për 35% më i lartë se buxheti që gjetëm në vitin tonë të parë të qeverisjes, po vazhdojmë që ta forcojmë mbrojtjen e Republikës, rrisim sigurinë, nxisim punësimin në tregun e punës, shtojmë kujdesin për familjet, mbështesim reformat që kemi filluar dhe mundësojmë zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe ngrisim mirëqenien e qytetarëve në vend”, ka shkruar ai në Facebook.