Fjalë Kyçe

Turqia s’dha rezultate të detajuara, dërgohet në SHBA për ekzaminim prova kryesore e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Turqia s’dha rezultate të detajuara, dërgohet në SHBA për ekzaminim prova kryesore e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Prova kryesore në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitaj, është dërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ekzaminim, pasi që nuk janë pranuar rezultate të detajuara nga ekzaminimi i saj në Turqi.

Lajmin për gazetën online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Kjo provë është dërguar më herët në shtetin e Turqisë, mirëpo nuk kemi pranuar rezultate të detajuara, me ç’rast është dashur të dërgohet në SHBA. Ne jemi optimistë se do të ketë të gjetura”, tha Nikçi për Reporteri.net.

Donjeta Pajazitaj është gjetur e vdekur në Bjeshkët e Strellcit, të komunës së Deçanit në vitin 2015.

8 vite më vonë, ende nuk dihet se si kishte ndodhur rasti dhe kush qëndron prapa vrasjes.

Për vrasjen e Donjetës, për më shumë se 7 vite qëndroi në burg, e 3 herë u dënua me burgim të përjetshëm kushëriri i saj Naser Pajazitaj, për tu liruar së fundmi nga Gjykata Supreme në mungesë provash.

Bazuar në aktakuzën, e Prokurorisë së Kosovës, thuhej se më 9 nëntor të 2015 derisa Donjeta 24-vjeçare po shkonte atë ditë në punë, e njëjta ishte marrë dhe ishte dërguar tek vendi i quajtur “Kroi i lajthisë” në bjeshkët e Strellcit, ku ishte vrarë me dy plumba në kokë, për t’u gjetur trupi i saj gati gjashtë javë më vonë.