Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka hapur konkurs për 28 prokuror të rinj si dhe hap nominimin për pozitën e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media, shkruan lajmi.net.
Njoftimi i plotë:
Hapet thirrja publike për nominimin e kandidatëve për pozitën e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokuroial dhe shpallet konkursi për rekrutimin e 28 prokurorëve të rinj
Prishtinë, 15 janar 2024 – Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi z.Jetish Maloku, ka mbajtur Takimin e 240-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.
KPK, fillimisht, pas trajtimit dhe diskutimeve të zhvilluara në takimin e sotëm, miratoi Raportin për aktivitetet dhe rekomandimet e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik për periudhën korrik-shtator 2023 dhe aprovoi kërkesën e prokurorit Shpëtim Peci për transferimin e tij nga Prokuroria Speciale në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë nga data 1 mars 2024, si dhe aprovoi dorëheqjen e prokurores Slavica Popovic nga Prokuroria Themelore në Gjilan, për të cilën mori vendim që ta dërgojë propozimin tek Presidentja e vendit për lirim nga detyra.
Këshilli, pas miratimit të propozimeve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, caktoi zëvendëskryeprokurorët si në vijim: prokurorin Valdet Gashi në Prokurorinë Speciale, prokuroren Elza Bajrami në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe prokurorin Sadri Alija në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, si dhe caktoi udhëheqësit e departamenteve në Prokurorinë Speciale, si në vijim: prokurorin Ilir Morina, udhëheqës të Departamentit për Krime Lufte, prokurorin Afrim Shefkiu, udhëheqës të Departamentit për Terrorizëm dhe prokurorin Valdet Gashi, udhëheqës të Departamentit për Korrupsion dhe Krim Financiar, kurse caktimi i udhëheqësit të Departamentit për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë është shtyrë gjersa të përfundojë procedura për avancim në Prokurorinë Speciale.
KPK trajtoi edhe Analizën e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë dhe Komisionit për Administrimin e Prokurorive për hapjen e konkursit për prokurorë të shtetit, me ç’rast mori vendim për hapjen e konkursit për rekrutimin e 28 prokurorëve të rinj nga data 22 janar 2024 dhe themeloi Komisionin për Rekrutimin e Prokurorëve dhe Komisionin për Rishqyrtim të Ankesave.
Një ndër vendimet e sotme të KPK-së ishte edhe hapja e thirrjes publike për paraqitjen e nominimeve për kandidatët për pozitën e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, afati i dorëzimit të të cilave do të fillojë nga 16 janari 2024 dhe do të jetë e hapur tre ditë.
KPK trajtoi edhe dy raporte të Komisionit për Vlerësimin e Performancës për vlerësimin e performancës dhe kundërshtimin e paraqitur nga një prokuror, si dhe
mbajti në përfundim të takimit një seancë dëgjimore disiplinore për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kurse vendimi do të nxjerrët siç parashihet me Ligj.