Fjalë Kyçe

KMDLNJ: Pushteti po përpiqet ta arsyetojë hajninë e rrymës

KMDLNJ: Pushteti po përpiqet ta arsyetojë hajninë e rrymës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut (KMDLN) ka vlerësuar se pushteti po përpiqet ta arsyetojë, siç ka thënë, hajninë e rrymës që po u bëhet qytetarëve.

Duke iu referuar seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën është diskutuar për rezolutën e propozuar nga opozita për çmimin e faturimin e energjisë elektrike, ky Këshill ka vlerësuar se në rrethana normale kjo seancë është dashur të thirret nga pushteti.

“Në fakt, pozita po e kundërshton këtë seancë dhe me çdo kusht po përpiqet ta arsyetojë këtë hajni të pashembullt që iu bëhet qytetarëve, votuesve të Kosovës. Me vet faktin se në seancën e jashtëzakonshme dolën pohimet se rryma që e blenë KESCO nga KEK me 2 euro e 90 centë ndërsa ua faturon qytetarëve 14 euro e 45 cent është fakt i mjaftueshëm që të bëhen hetimet e shpejta duke filluar nga ZRRE që është koka e meduzës së keqpërdorimeve e deri te KESCO që është finalizuesi i keqpërdorimeve përmes faturave të fundit”, thuhet në reagim.

Sipas KMDLNJ-së në këtë mes do të gjendej edhe përgjegjësia institucionale.

“100 eurot e ndara nga Qeveria kanë qëllim për mbytje të zhurmës ndërsa subvencionimi ka filluar vetëm pasi pati reagime të shumta dhe për t’i shmangur kundërshtimet e organizuara të qytetarëve që janë vjedhur haptas nga ZRRE, KESCO dhe ka dyshime edhe nga segmente të caktuara institucionale. KMDLNJ-ja ka kundërshtuar këtë keqpërdorim të pamohueshëm duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi sikur që e ka kundërshtuar diskriminimin e qytetarëve / konsumatorëve në baza etnike si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst KMDLNj- ë ka kundërshtuar takimin me ZRRE sepse pikërisht ky Rregullator ka përgjegjësinë kryesore profesionale, institucionale dhe mbase edhe penale për situatën e krijuar”, thuhet në reagim.

KMDLNJ-ja u ka bërë thirrje qytetarëve të dëmtuar që të këmbëngulin në mbrojtje të drejtave të tyre duke shfrytëzuar çdo mundësi ligjore që e kanë si dhe protestat e organizuara si e drejtë demokratike dhe e drejtë e njeriut.

“Masat që i ka ndërmarrë Qeveria, si rrethanë e reagimit qytetar nuk e zgjidhin problemin por e zbusin ne periudhën afatshkurtër”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se qytetarët e Kosovës janë “plaçkitur brutalisht nga ZRRE-ja, KESCO dhe duket segmente të caktuara institucionale me faturat e fundit që, në jo pak raste janë 400 për qind më të larta se ato të muajit paraprak”.