Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se do të ketë nevojë për takime të tjera për të zgjidhur çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë u takuan sot në Bruksel, të pritur nga Lajçaku, për të zgjidhur çështjen e dinarit, që u ndalua me Rregulloren e re të BQK-së që hyri në fuqi më 1 shkurt.
Sipas Lajçakut, shumë pyetje politike kanë mbetur pa përgjigje nga takimi i sotëm.
“Mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga Rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i dialogut ishte hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, ka shkruar Lajçak në “X” pas takimit.
Lajçaku zhvilloi takimet të ndara dhe trepalëshe me delegacionin e Kosovës, që udhëhiqej nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, dhe delegacionin e Serbisë, në krye me Petar Petkoviqin.
Pas takimit, Ismaili ka thënë se nuk e kanë negociuar Rregulloren, por vetëm kanë informuar.