Prishtinë – Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, janë dëgjuar pesë ish-komandantët e Brigadave, Maliq Ndrecaj, Hysni Ahmeti, Enver Uruqi, Idriz Shabani dhe Arif Muqolli, të cilët kanë deklaruar se qëndrojnë paranë aplikacionit të nënshkruar nga ata.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht dëshmitari Maliq Ndrecaj duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Agim Çeku, avokatit Ramë Gashi ka sqaruar se ai gjatë luftës kishte shërbyer në rajonin e Dukagjinit si komandat i brigadës 132.
Ai ka sqaruar se aplikantët mbushnin aplikacionet vet dhe i dorëzonin në shoqatë apo drejtpërdrejtë në Qeveri.
Kurse, tha se Sekretaria i kishte ftuar për të bërë verifikimin e aplikacioneve të ushtarëve në objektin e Qeverisë bashkë me komandantët e batalioneve, të kompanive, dhe skuadrave.
Ai tha se çdo aplikacion ishte shqyrtuar dhe se nuk ka pasur implikim tek ata si zinxhir komandues.
Dëshmitari Ndrecaj tha se ka pasur raste që ai nuk kishte nënshkruar aplikacionet, megjithatë tha se qëndron prapa të gjitha atyre që i ka nënshkruar.
Tutje, i njëjti duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Dren Paca, ka sqaruar se në këto aplikacione kishte pasur të dhëna personale, shërbimi se ku ka shërbyer aplikanti gjatë luftës, kohëzgjatje e të tjera.
Ai ka pohuar se nënshkrimi i tij në aplikacion ka nënkuptuar konfirmimin e detyrave dhe funksioneve të aplikuesit.
Dëshmitari Ndrecaj tha se logjistika kishte qenë materia kryesore e luftës duke pohuar se kishte pasur raste që si aplikant për kategorinë e veteranit të luftës kishte pasur edhe persona të mitur.
Kurse, tha se në rastet që kishte pasur aplikant për veteranët luftëtarë të cilët nuk kishin qëndruar deri në përfundim të luftës, aplikimet janë refuzuar.
Ai tha se kompetenca për të përcaktuar statusin e aplikuesit se a ka qenë veteran luftëtarë, pjesëtarë apo i internuar ka qenë komplet e tij dhe e vartësve të tij.
Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Hysni Ahmeti, i cili ka sqaruar se ai ka qenë përgjegjës në Zonën Operative të Shalës si komandant i Brigadës 141.
Ai tha se procesin e verifikimit të veteranëve e kishin bërë në ndërtesën e Qeverisë, me të gjithë komandantët e brigadave.
Sipas dëshmitarit Ahmeti procesi i verifikimit kishte shkuar në mënyrë të rregullt ku kishin rezultuar 921 veteranë të brigadës, 124 invalidë dhe 132 dëshmorë.
Ai tha se fillimisht kishte shkuar nënshkrimi nga komandanti i togut, kompanisë, bataljonit, ndërsa në fund kishte shkuar tek ai për nënshkrim si komandat i brigadës.
“Ne kemi nënshkruar aplikacionet dhe listën përfundimtare prej 921 personave dhe i qëndroj pranë asaj”, tha dëshmitari Ahmeti.
I njëjti po ashtu ka sqaruar se përmbajtja e këtyre aplikacioneve kishte të dhënat personale, zonën operative, datën e kyçjes, komandantin e brigadës të bataljonit dhe të kompanisë.
Ai tha se kishte pasur dy raste të aplikuesve të mitur, njëri me status të veteranit luftëtar kurse tjetri dëshmor.
Dëshmitari Ahmeti ka pohuar të ketë pasur raste të aplikimeve nga persona të cilët kanë qenë të angazhuar në logjistikë dhe sipas tij çdo person që ka shërbyer në logjistikë ka pas armë dhe i ka takuar statusi i veteranit.
Tutje, dëshmitari i radhës Enver Uruqi gjatë dhënies së dëshmisë së tij ka sqaruar se ka operuar në Zonën Operative të Shalës si komandat i Brigadës 142.
Ai tha se për verifikimin e aplikimeve ishin ftuar në Qeveri bashkë me të gjithë zinxhirin komandues, komandantët e batalioneve ku aplikacionet tha se janë nënshkruar nga ai dhe vartësit e tij, kurse listat vetëm nga ai si komandat brigade.
Dëshmitari Uruqi tha se ai është munduar të bëjë punën më të mirë por që nuk garanton se nuk ka pasur ndonjë gabim apo lëshim të vogël.
“Sepse nuk është varë vetëm nga unë, por nëse të gjithë ata e kanë nënshkru mua më ka mbet vetëm me bo valid aplikacionin, sepse ka qenë e pamundur që t’i njoh të gjithë ushtarët”, ka thënë dëshmitari Uruqi.
Ai tha se kur kishte pasur informacion kishte reaguar dhe e kishte paraqitur pranë zinxhirit komandues duke refuzuar të njëjtat.
“Dua të shtoj se jo të gjitha aplikacionet janë nënshkruar nga ana ime dhe zinxhiri komandues”.
Dëshmitari Uruqi tha se për shkak të numrit të madh të punëve që kanë pasur kanë mbetur disa aplikacione pa u nënshkruar nga zinxhiri komandues për shkak se Sekretaria iu kishte thënë se do t’i ftojnë për t’i nënshkruar por që kjo nuk kishte ndodhur.
“Ndërkohë ka ndërruar stafi dhe kanë mbetur pa u nënshkruar se kanë harruar ndoshta me na ftu. E që sot sigurisht ata gëzojnë statusin”, tha ai.
Tutje, dëshmitari Uruqi ka sqaruar se në kuadër të strukturës komanduese të brigadës ka qenë edhe sektori i logjistikës ku ndihmësi i komandantit të brigadës ka qenë përgjegjës për sektorin e logjistikës.
I njëjti ka pohuar të ketë pasur aplikime për veteran të luftës nga persona të cilët nuk kanë qëndruar deri në përfundim të luftës.
“Po, ka pasur persona që kanë aplikuar. Thash që kanë aplikuar 1700, ndërsa statusin e kanë fituar vetëm 918 persona”, tha dëshmitari Uruqi.
Më pas, seanca ka vazhdar me dëgjimin e dëshmitari Idriz Shabani, i cili fillimisht ka sqaruar se ai vjen nga Zona Operative e Llapit dhe Brigada 151.
Ai ka sqaruar se verifikimi është bërë për çdo individ në bazë të aplikacionit që e kanë pasur dhe se çdo aplikacion e kanë shqyrtu veç e veç.
“Kur komandanti i njësive e ka vërtetu që është pjesëtar është veteran atëherë e kom nënshkru edhe unë si komandat i brigadës”, ka thënë dëshmitari Shabani.
Sipas tij, numri i veteranëve ka qenë diku 1200-1300, duke shtuar se qëndron edhe sot pranë asaj liste me nënshkrime që e kanë bërë.
Dëshmitari Shabani ka pohuar se nënshkrimi i tij në aplikacion ka nënkuptuar konfirmimin e të dhënave të aplikesuesit ashtu siç është përshkruar në aplikacion.
Po ashtu, i njëjti ka pohuar se kishte pasur edhe 4-5 raste me aplikime për statusin e veteranit nga persona të mitur kurse tha se nuk ka pasur aplikime nga persona të cilët nuk kanë qenë të angazhuar deri në përfundim të luftës.
Tutje, dëshmitari i radhës Arif Muqolli ka sqaruar se në kohën e luftës ka qenë në Zonën Operative të Llapit si komandat i Brigadës 152.
Ai tha se procesi i verifikimit dhe vlerësimit të aplikacioneve ishte bërë bashkë me vartësit e tij, me katër komandat të batalioneve, të kompanive dhe një numër të komandantëve të togjeve në objekt të Qeverisë.
I pyetur se si ka vepruar në rastet kur nuk është pajtuar me vartësit e tij, ai tha se ishte para aktit të kryer pasi që nuk ta njihte një person më mirë se ata që kanë shërbyer.
“Unë jom dal para aktit të krym deri sa një komandat i batalionit me vartësit e tij e ka nënshkru një formular unë kom qenë para aktit të krym sepse nuk kom mujt me njoft më mirë një x personi se që e kanë njoft ata që kanë shërby”, ka thënë dëshmitari Muqolli.
I pyetur nga prokurori special Paca se a ka pasur persona që kanë aplikuar për statusin e veteranit e të cilët kanë qenë të angazhuar si depoist, dëshmitari tha se depoisti në rrethana të luftës ka mundur të jetë depoist gjysmë dite kurse gjysme dite në vije të frontit.
Ai tha se gjendja faktike ishte vlerësuar nga ata si shkallë e parë kurse komisioni qeveritar kishte dhënë formën përfundimtare duke e përmbyllur në bazë të dokumentacionit të ofruar.
Në seancën e fundit për këtë rast, më 21 dhjetor 2023 ka dëshmuar ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.
Ndryshe, seanca e 16 dhjetorit 2022 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarve Fazliu dhe Elezaj, ndërsa ajo e 15 marsit 2023, ishte anuluar me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi.
Seanca e 15 qershorit 2023, kishte dështuar për shkak se të akuzuarit Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Xhavit Jashari, nuk kishin angazhuar avokatë. Kurse, seanca e 18 shtatorit 2023 është anuluar për shkak se prokurori Valdet Gashi ishte në udhëtim zyrtar. Ndërsa, ajo e 28 shtatorit 2023 dështoi në mungesë të të akuzuarit Shukri Buja.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.
Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.
Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi