Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se kanë kërkuar të mbahet seancë e jashtëzakonshme për tenderët njëburimor.
Ai ka thënë se konsiderohet shkelje e jashtëzakonshme dhe burim i madh i korrupsioni.
“Me kërkesë të deputetes Hykmete Bajrami e përkrahur nga 39 deputetë tjerë u kërkua të mbahet një seancë e jashtëzakonshme lidhur me tenderët njëburimor që i ka dhënë Qeveria Kurti dhe sipas asaj që rezulton deri më tani është thyerje e çdo rekordi të mundshëm. Për sqarim për publikun, tender njëburimor nënkupton dhënien e kryerjes së punëve publike apo tenderëve publikë duke mos bërë shpallje publike por duke ftuar individualisht tre kompani dhe duke vendosur mbi bazën e preferencës së institucionit tenderues. Pra konsiderohet shkelje e jashtëzakonshme dhe në të nëjtën kohë konsiderohet burim i madh i korrupsionit. Deri tash konsiderohet se janë mbi 350 tenderë që janë realizuar në procedurën e prokurimit njëburimore. Në konsiderojmë që kjo është një çështje që duhet të diskutohet në Kuvend dhe si rezultat i kësaj kemi propozuar rezolutë dhe po ashtu do të shohim mundësinë e krijimit të një komisioni parlamentar që do të merret me hetimin e kësaj problematike jashtëzakonisht të madhe që është shfaqur në qeverinë Kurti”, tha Gashi.
Ndërkaq shefja e Grupit Parlamentr të VV’së, Mimoza Kusari, tha se kjo seancë do të mbahet të enjten nga ora 10:00, teksa shtoi se nuk janë dakorduar për ndonjë seancë tjetër gjatë kësaj jave.