Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar NATO-n, në 25-vjetorin e sulmeve ajrore kundër caqeve serbe.
Osmani thotë se 25 vjet më parë filloi shpëtimi i Kosovës, transmeton Telegrafi.
“25 vjet më parë, filloi shpëtimi i Kosovës nga shfarosja. Aleancat duhet t’i ruajmë po aq sa edhe lirinë! Faleminderit përjetësisht NATO”, thotë Osmani në një postim në Facebook.
Presidentja tutje ka shtuar se “25 vjet më parë, aleatët tanë të NATO-s u bashkuan në forcë dhe qëllim për t’i dhënë fund brutalitetit të regjimit gjenocidal të Millosheviqit”.
Osmani ka theksuar se ndërhyrja e NATO-s shpëtoi jetë të panumërta dhe hodhi themelet për vendin e lirë dhe demokratik që ne e çmojmë sot.
Presidentja, së bashku me ambasadorë të akredituar të shteteve aleate kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 25 vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s.
Ndryshe, sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe. Aeroplanë të NATO-s bombarduan në territorin e Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.
Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.