Numri i udhëtarëve që përdorin Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” për të fluturuar drejt vendeve tjera, ka shënuar ngritje për muajt janar e shkurt të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Zyrtarë të këtij aeroporti thonë se vetëm për dy muajt e parë të këtij viti janë regjistruar mbi gjysmë milioni udhëtarë, derisa destinacionet e preferuara janë Zvicra, Gjermania, Turqia e Austria.
Zëdhënësja e Aeroportit Valentina Gara tha për KosovaPress se në muajin janar rritja e numrit të udhëtarëve është 22 për qind, teksa rritje ka shënuar edhe muaji shkurt 38 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Në muajin janar të vitit 2024 në krahasim me janarin e vitit 2023, kemi rreth 22 për qind në numër më të madh të udhëtarëve. Ndërkaq, në muajin shkurt kemi rreth 38 për qind më shumë udhëtar se sa 2023. Në muajin janar dhe shkurt, kanë udhëtuar, vajtje-ardhje mbi gjysmë milion udhëtarë. Destinacioni, i cili po vizitohet më së shumti, akoma mbetet shteti zviceran, pasuar nga Gjermania, Turqia, Austria, e kështu me radhë”, deklaron Gara.
Gara tregon për destinacionet që janë shtuar për këtë vit me qëllim të përmbushjes së kërkesave të qytetarëve. Ajo po ashtu thotë se kanë shtuar edhe një kompani ajrore.
“Sa i përket destinacioneve shtesë, ne gjatë këtij viti do të kemi destinacionin e Burgasit, Heraklionit, më pas Kopenhagës, kemi edhe Rigan. Po ashtu destinancionin për në qytetin e Izmirit. Kemi po ashtu edhe shtimin e një kompanie ajrore”, tha Gara.