Irani është zotuar të hakmerret pasi ka akuzuar Izraelin për bombardimin e kompleksit të Ambasadës së tij në Siri të hënën, raporton CNN.
Si pasojë e sulmit ajror i cili goditi ndërtesën e Konsullatës së Iranit në kryeqytetin Damask, të paktën shtatë zyrtarë kanë vdekur, përfshirë Mohammed Reza Zahedin, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) si dhe komandantin e lartë Mohammad Hadi Haji Rahimi, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit.
Zahedi, një ish-komandant i forcave tokësore dhe ajrore të IRGC-së është objektivi i vrarë iranian i profilit më të lartë, që kur ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump urdhëroi vrasjen e gjeneralit të IRGC-së, Qassem Soleimani në Bagdad në vitin 2020.
Irani dhe Siria kanë akuzuar Izraelin si autor të sulmit, ndërkohë që Teherani ka paralajmëruar “përgjigje serioze” dhe së bashku me grupin e fuqishëm militant libanez Hezbollah të mbështetur nga Irani kanë paralajmëruar “ndëshkim dhe hakmarrje”. Sipas Iranit përgjegjëse janë edhe Shtetet e Bashkuara për shkak të mbështetjes së tyre ndaj Izraelit.
Një zëdhënës i Ushtrisë së Izraelit ka thënë se Izraeli beson se objektivi i goditur ishte një “ndërtesë ushtarake e forcave Quds” – një njësi e IRGC-së, përgjegjëse për operacionet e huaja.
Katër zyrtarë izraelitë të paidentifikuar e kanë pranuar se Izraeli kreu sulmin, raporton New York Times.
Ambasadat dhe konsullatat e SHBA-së jashtë vendit, si dhe ambasadat dhe konsullatat e vendeve të huaja në SHBA gëzojnë një status të veçantë. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, “një sulm ndaj një ambasade konsiderohet si një sulm ndaj vendit që ajo përfaqëson”.