Shtëpia e Bardhë sapo ka lëshuar një deklaratë nga presidenti, Joe Biden duke i kërkuar Senatit që të miratojë projektligjet e ndihmës sa më shpejt të jetë e mundur.
“Sot, anëtarët e të dy partive në Dhomën e Përfaqësuesve votuan për të çuar përpara interesat tona të sigurisë kombëtare dhe për të dërguar një mesazh të qartë për fuqinë e lidershipit amerikan në skenën botërore”, tha Biden, raporton BBC, transmeton klankosova.tv.
“Në këtë pikë kritike, ata u mblodhën për t’iu përgjigjur thirrjes së historisë, duke miratuar legjislacionin e nevojshëm urgjent të sigurisë kombëtare, për të cilin kam luftuar për muaj të tërë për ta siguruar”.
Biden thotë se votimi vjen në një moment “urgjence të rëndë” për Izraelin dhe Ukrainën dhe ai falënderon kryeparlamentarin republikan, Mike Johnson dhe homologun e tij demokrat për arritjen e një marrëveshjeje për të kaluar votën.
“I bëj thirrje Senatit që ta dërgojë shpejt këtë paketë në tryezën time, në mënyrë që unë ta nënshkruaj atë në ligj dhe ne të mund të dërgojmë shpejt armë dhe pajisje në Ukrainë për të përmbushur nevojat e tyre urgjente në fushën e betejës” , vazhdoi Bideni.