Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim edhe me palët e tjera që ndërlidhen me këtë proces, kanë bërë parapërgatitjet për fillimin dhe realizimin e fushatës së korrje-shirjeve për vitin 2019.
Me qëllim të koordinimit sa më të mirë të punëve, përfaqësuesit e MBPZHR-së kanë mbajtur takimin e përbashkët me përfaqësues të Drejtorive Komunale për Bujqësi, të Shoqatës së Prodhuesve të Grurit dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Mullisëve.
Gjatë këtij takimi janë pajtuar që të mos fillohet me korrje-shirjet para pjekjes se plotë të grurit dhe krahas kësaj edhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi të raportojnë në MBPZHR, gjegjësisht te Komisioni Qendror për monitorimin e korrje-shirjeve për vitin 2019, një herë brenda javës lidhur me ecurinë e korrje shirjeve në komunat e tyre.
Bazuar në çmimin aktual të derivateve të naftës, pjesëve rezervë të autokombajnave, si dhe gjendjes së zhvillimit të grunajave, MBPZHR, përfaqësuesit e DKB-ve, përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Grurit dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve, kanë propozuar që çmimi real i korrje-shirjeve për vitin 2019 do të ishte 100 euro për hektarë (nënkuptohet se çmimi i korrje- shirjeve caktohet me marrëveshjen në mes të fermerëve dhe autokombajnerve).
Në gjithë territorin e Kosovës, sivjet më kulturën e grurit janë të mbjella 50 mijë hektarë, ndërsa MBPZHR-ja i mbështetë kultivuesit e grurit dhe farës së grurit përmes pagesave direkte.