Mbi 450 policë dhe xhandarë në kërkim të “mizës” së arratisur në Francë, u vranë 2 policë
Franca është ende nën alarm dhe në shok. Mbi 450 policë dhe xhandarë janë në kërkim të të burgosurit të arratisur dhe bashkëpunëtorëve të tij që organizuan pritën vdekjeprurëse në veriun e vendit.
Mohamed Amra, i njohur me nofkën “Miza”, po dërgohej në burg pas një seance gjyqësore në rajonin e Normandisë gjatë të martës, kur një automjet u përplas me furgonin e forcave të rendit.
Më pas një person i armatosur nisi të qëllonte me armë zjarri duke vrarë dy oficerët dhe plagosur rëndë tre të tjerë. Po përdoren të gjitha mënyra për të gjetur këta kriminelë, konfirmoi ministri I brendshëm francez, Gerald Damanin.
Ai u tha mediave se sulmi ishte një akt “gjakftohtë dhe barbar”. Presidenti Emmanuel Macron konfirmoi se po bëhet gjithçka e mundur për gjetjen e autorëve të sulmit dhe të burgosurit të arratisur. Sindikatat e rojeve të burgjeve në Francë organizuar një manifestim për të nderuar dy efektivët e rënë në detyrë. Prokurorët e çështjes kanë njoftuar se janë gjetur dy automjete të shkrumbuara nga flakët, në vendndodhje të ndryshme, që besohet se janë përdorur nga kriminelët.
Amra, i burgosuri i arratisur, është dënuar për vjedhje më 10 maj. Gjithashtu akuzohet nga prokurorët në Marsejë për një rrëmbim që përfundoi me një të vdekur.
Mediat franceze raportojnë se Amra ka tentuar që të arratiset nga burgu më herët gjatë javës, duke u përpjekur të sharronte hekurat e qelisë. Ai ishte I njohur në botën e krimit, me shkeljen e parë ligjore në moshën 15 vjeçare, ndërsa raportohet se kishte lidhje të forta me një bandë në Marsejë që merret me trafikun e drogës.