Fjalë Kyçe

Kurti nuk e komenton reagimin e Osmanit për letrën e Gërvallës në KiE

Kurti nuk e komenton reagimin e Osmanit për letrën e Gërvallës në KiE

Kryeministri Albin Kurti ka preferuar më tepër heshtjen kur është pyetur mbi reagimin e presidentes Vjosa Osmani për letrën e kryediplomates Donika Gërvalla në Këshill të Evropës.

Pas tubimit mbështetës zgjedhor për Luginën e Preshevës, mbi zgjedhjet e atjeshme më 2 qershor, i pari i ekzekutivit nuk ka dashur të komentojë deklaratat e të parës së vendit mbi moskoordinimin e çështjeve për anëtarësim në organizatën evropiane.

Osmani ka theksuar se nuk është informuar nga kreu i Kuvendit Glauk Konjufca në lidhje me letrën dërguar në KiE. Konjufca më herët ka deklaruar se kjo ka të bëjë më shumë me çështje teknike dhe jo si diçka të qëllimshme.

“Kjo kam hamendësuar se ka mundur të ndodhë për shkak të vizitës që ajo e kishte në SHBA, ku për shkak të largësisë, me siguri jo çdo hollësi e cila do të ndryshonte çdo minutë në ditën e votimit që e kishim nga ana e Këshillit të Ministrave për KiE mund të ndahet dhe mund të koordinohet”, ka thënë ai, raporton Kosovapress.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu-Shoshi ka reaguar ndaj mos koordinimit të Presidencës dhe Qeverisë për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidentja, si përfaqësuese e unitetit të popullit, është dashtë të shpërfaq të vërtetën e keq-qeverisjes së Albinit shumë më herët. Tashmë dëmi është bërë, por e vërteta e dështimit po dihet qartë! Më mirë vonë se kurrë”, ka shkruar Musliu-Shoshi.

Kosova nuk u përfshi në agjendën e KiE më 16-17 maj. Kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë në një letër se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar të asociacionit, aplikimi në KiE s’do të merr mbështetjen e duhur”.