Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e kanë shpallur fajtor Pjetër Shalën dhe dënuar me 18 vjet burgim.
Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Trupi gjykues konstatoi se përtej dyshimeve të bazuara, Pjetër Shala është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.
Shala u shpall fajtor për ndalim arbirtrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje si krim lufte kundër një personi.
Shala u shpall i pafajshëm për pikën dy të akuzës.
Për pikën 1 të akuzës, Shala u dënua me 6 vjet burgim, me 16 vjet burgim për pikën tre dhe 18 për pikën 4. Andaj, ndaj tij u shpall dënim unik me 18 vjet burigm.
Trupi gjykues vlerësoi se pesha e krimeve ishte e rëndë dhe se Shala kishte një autonomi dhe pushtet brenda UÇK-së.