Fjalë Kyçe

Kurti i përgjigjet Macronit për “lëvizjet e njëanshme të Kosovës”

Kurti i përgjigjet Macronit për “lëvizjet e njëanshme të Kosovës”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është pyetur në lidhje me deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili të enjten ka thënë se partnerët evropianë janë të shqetësuar “për lëvizjet e njëanshme të Kosovës”.

Kurti ka thënë se si Qeveri janë duke vendosur sundim të ligjit e rendit publik, si dhe duke siguruar paqe e siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime.

Ai ka shtuar se duan bashkëpunim të ngushtë edhe nga ndërkombëtarët, duke përfshirë edhe Francën.

“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallime. Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu natyrisht edhe Francën të cilën e konsiderojmë vend mik, aleat, e partner shumë të rëndësishëm edhe në BE edhe në NATO”, ka thënë ai.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë në Beograd gjatë vizitës së tij se lëvizjet “e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë dhe se Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Macron e nisi një vizitë dyditore në Beograd të enjten, ku Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nënshkroi marrëveshje me të për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë Rafale.