Pas mbylljes së komunave paralele, situata e sigurisë në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e qetë, megjithëse delikate.
Kështu është shprehur për Telegrafin, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, është delikate duke marrë parasysh zhvillimet prej dy vitesh e këndej. Sidoqoftë situata është e qetë”, tha ai.
Elshani ka deklaruar se policia po kryen shërbimet e veta ndaj qytetarëve të këtij rajoni pa ndonjë problem të madh.
Zëvendësdrejtori i PK-së, ka përmendur se ditët e fundit janë mbajtur disa tubime përballë komunave të veriut, të cilat janë marrë nën kontroll dhe blinduar me urdhër të Prokurorit.
Megjithatë, sipas tij sot nuk ka pasur protesta apo probleme të tjera të mëdha.
“Policia është duke mbledhur dëshmi nga këto ndërtesa. Puna po kryhet sipas ligjit, ashtu siç parashihet,” theksoi Elshani, duke shtuar se policia do të vazhdojë të monitorojë dhe të veprojë në përputhje me ligjin për të siguruar stabilitetin në rajon.
Ndryshe më 30 gusht janë mbyllur këto institucione: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.