Fjalë Kyçe

Prishtina bëhet me një qendër për trajtimin e qenve endacakë, Rama jep detaje

Prishtina bëhet me një qendër për trajtimin e qenve endacakë, Rama jep detaje

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kanë përuruar qendrën për trajtimin e qenve endacakë.

Rama theksoi se kjo qendër do të ketë një rol të rëndësishëm në sigurinë e qytetarëve, kështu duke reduktuar numrin e qenve endacakë, përcjell IndeksOnline.

Ai gjithashtu tha se qentë e adoptuar do të kenë mundësi që të trajtohen falas në këtë qendër.

Postimi i plotë:

PROBLEMI I QENVE ENDACAKË NË KRYEQYTET PO ZGJIDHET

Sot përuruam Qendrën për trajtimin e qenve endacakë. Kjo qendër do të ketë një rol të rëndësishëm në sigurinë e qytetarëve tanë, duke reduktuar numrin e qenve në rrugë dhe duke u kujdesur për mirëqenien e tyre. Qendra është furnizuar me pajisje moderne dhe ka të punësuar veterinarin, dy teknikë veteriner si edhe stafin tjetër mbështetës.

Shumë shpejt do të fillojë bartja e qenve endacakë nga rrugët e kryeqytetit në këtë qendër për trajtim, e më pas në pjesën e poshtme të qendrës ku po finalizohet pjesa e strehimit për rreth 350 qen. Qentë do të mbahen në pjesën e strehimit deri në adoptimin e tyre. Siç është në dijeni opinioni, qentë të cilët adoptohen do të trajtohen falas në këtë qendër për tërë jetëgjatësinë e tyre, si edhe pronarët do të marrin nga 50 euro në muaj për secilin qen të adoptuar nga kryeqyteti.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të bëjë prioritet trajtimin e problemit të qenve endacakë në nivel të Kosovës duke mbështetur komunat me resurse financiare dhe të tjera. Pa një angazhim të tillë, problemi nuk mund të zgjidhet në nivel nacional.

Kryeqyteti do të vazhdojë të punojë për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.